Hulumtimi i KALLXO.com, aktakuzë ndaj Nenad Rikallos dhe Sekretarit të Ministrisë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për ish ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo dhe 7 personave të tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në mesin e të akuzuarve është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Kapllan Halimi.

Aktakuza vjen 7 muaj pasi KALLXO.com kishte publikuar një hulumtim rreth një plani të Ministrisë që drejtohej nga Rikallo për një projekt pvr komunat veriore të Kosovës

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut. Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar Për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”. Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Rikalo i çon 2 milionë euro në Mitrovicën e Veriut

Në aktakuzën e Prokurorisë së shtetit pretendohet që Nenad Rikalo dhe ish zyrtarët e ministrisë K.H., Sh.Z., E.Gj., Sh.M., L.Th., L.K. A.Z., akuzohen për veprën e penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Prokuroria akuzon se Nenad Rikallo dhe K.H, Sh.Z dhe E.Gj në bashkëveprim gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitime të kundërligjshme disa kompanive, kanë vepruar në nëmyrë të kundërligjshme.

“I pandehuri N.R. (Nenad Rikalo) në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”,  pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregull”, thuhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

Po ashtu, Rikalo më 26.03.2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara.

I pandehuri tjetër, K.H. në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë, ka tejkaluar kompetencat e tijj, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e insvestimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë.

Ndërsa i pandehuri tjetër, Sh.Z akuzohet nga Prokuroria Speciale se në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë, në vitin 2018, ka aprovuar Udhëzimin Administrativ nr.09/2018, i cili ishte në kundërshtim me Ligjin 04/L-090, duke i anashkaluar procedurat e rregullta.

Kurse E.Gj., akuzohet se në cilësinë e Ushtruesit të detyrës së Kryeshefit të AZHB-së, ka formuar një grup punues, i cili do të bënte kontrollin administrativ, vlerësimin, miratimin dhe kontraktimin e projekteve të infrastrukturës rurale. Sipas Prokurorisë, kjo është bërë në mënyrë të paligjshme dhe se ky grup do duhej të formohej nga drejtori. Gjithashtu, sipas Prokurorisë Speciale, E.Gj i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro, pasi me veprimet e tij i ka mundësuar përfitime disa kompanive të ndryshme, ngase vetë ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm.