Haki Rugova - FOTO KALLXO

Hulumtimi i 'Drejtësia në Kosovë' - Haki Rugova dënohet me burgim për korrupsion

Haki Rugova është gjetur fajtor sot nga gjykata e Pejës për vepër penale- Konflikt Interesi.

Rugovës iu shqiptua dënimi prej 1 vit burgim, e po ashtu edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve zyrtare në kohëzgjatje prej 1 viti.

Kryetar i trupit gjykues në këtë rast ishte gjyqtari Sami Sharraxhiu, ndërsa aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Ali Uka.

Aktakuza për konflikt interesi ndaj kryetarit të komunës së Istogut Haki Rugova, është ngritur me mars të vitit 2018, par trasnmetimit të hulumtimit të emisionit ‘Drejtësia në Kosovë në vitin 2017-të me titull: ‘Komuna e Familjes Rugova’.

Ndërsa vetëm pas 298 ditëve, më 17 janar 2019, Gjykata e Pejës arriti ta mbajë shqyrtimin fillestar duke shkelur kështu në mënyrë flagrante afatet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës për procedim të rastit.

Kanë kaluar më shumë se 3 vite që kur Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzën kundër Haki Rugovës, dhe Gjykata e Pejës ka arritur ta përfundoj këtë gjykim sot pas më shumë se tri vite.

Gjykata në Pejë katër herë radhazi kishte caktuar seancën fillestare, duke përfshirë këtu periudhën kohore prej tetë muajve që nga ngritja e aktakuzës për konflikt interesi ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, mirëpo, nuk kishte arritur të mbante as edhe një seancë të vetme, në të cilën Rugova do të deklarohej lidhur me aktakuzën e Prokurorisë.

Seanca e parë fillestare është mbajtur me 17 janar 2019, ku i akuzuari Haki Rugova është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihej në barrë.

Më 21 mars 2019 ishte mbajtur seanca për kundërshtimin e aktakuzës.

Gjykata e Pejës më 8 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur ndaj Haki Rugovës, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Në qershor të vitit 2019, Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur ndaj Haki Rugovës, për veprën penale “Konflikti interesi”.

Gjykata e Pejës kishte vazhduar shqyrtimin gjyqësor më 23 tetor 2019, kuishin dëgjuar 5 dëshmitarë, menaxherja e zyrës së prokurimit në këtë komunë, avokati publik i Komunës së Istogut, dhe tre anëtarët e komisionit vlerësues.

Më 10 dhjetor 2019, dështoi të mbahet seanca, për shkak të mungesës se prokurorit dhe të akuzuarit.

Edhe më 21 janar të vitit 2020 për shkak të mungesës se prokurorit, kishte dështuar të mbahej seanca gjyqësore.

Ndërsa më datën 10 mars të vitit 2020 seanca gjyqësore nuk ishte mbajtur për shkak të mungesës së avokatit të Rugovës, Besnik Berisha.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Sylë Lokaj: “Avokati me parashtresë ka kërkuar nga gjykata shtyrjen e seancës me arsyetimin se me parë është angazhuar në një çështje penale, pranë dhomës së specializuar në Hagë”.

Ndërsa pas pensionimit të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sylë Lokaj, procesi ndaj Rugovës kishte filluar rishtazi.

Seanca gjyqësore e datës 21 janar të këtij viti kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së prokurorit Ali Uka, të akuzuarit Haki Rugova dhe mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sami Sharraxhiu, prokurori Uka kishte njoftuar gjykatën se nuk ka mundur të jetë prezent për shkak të konferencës vjetore të prokurorëve

I akuzuari Rugova nuk e kishte arsyetuar mosardhjen e tij, ndërsa, avokati Berisha e kishte njoftuar gjykatën se ka udhëtuar jashtë vendit për shkak të disa obligimeve personale.

Në muajin shkurt seanca ishte mbajtur vetëm deri në përfundimin e fjalës hyrëse.

Pas fjalës hyrëse, seanca nuk kishte vazhduar për arsye të mungesës së mbrojtësit së të akuzuarit Rugova, avokatit Besnik Berisha.

Avokati zëvendësues i të akuzuarit Rugova, Gëzim Kollqaku, që ishte i autorizuar nga avokati Berisha, pati deklaruar se nuk ka autorizim të vazhdojë tutje me dëshmitarë.

Në anën tjetër, Rugova pati thënë se nuk do të lëshohet mëtej për seancë pa prezencën e avokatit Berisha.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu e kishte njoftuar të akuzuarin Rugova se vepra për të cilën akuzohet ai, nuk e parasheh të detyrueshme mbrojtjen, andaj në seancën e radhës në rast të mungesës se mbrojtësit, do të procedohej edhe pa të.

Në muajin prill seanca nuk ishte mbajtur për shkak të mungesës së Haki Rugovës dhe mbrojtësit të tij avokatit, Besnik Berisha, të cilët mosardhjen e tyre nuk e kishin arsyetuar.

Më 28 maj të këtij viti kishte vazhduar procesi gjyqësor ndaj Rugovës, ku i njëjti kishte dhënë mbrojtjen e tij në këtë seancë.

Ndërsa më 10 qershor përfundoi gjykimi ndaj kryetarit Rugova, ku palët në seancë dhanë fjalën përfundimtare, e që sot pas më shumë së 3 vite është marrë vendimi për këtë proces nga ana e gjykatës.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova, saktësisht pas trasnmetimit të emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’. 

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë të ushtruar ndaj Haki Rugovës në Prokurorinë e Pejës.

Rugova akuzohej se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje kishte marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë – Lubozhdë – faza e parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Rugova është duke u hetuar edhe për një rast tjetër penal pranë prokurorisë së Pejës.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për rastin e Haki Rugovës mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK