Hetuesi policor dërgohet në pranga në gjykatë (FOTO)

Hetuesit policor të Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, gjatë ditës së sotme do të dalin para gjykatës për të ju caktuar masa e sigurisë.

Njëri prej hetuesve policor pas disa minutave është sjellë në Gjykatë nga dy zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Hetuesi Lavdim Osmani, Lutfi Menxhiqi dhe një rreshter i Krimeve Ekonomike do të përballen me sistemin e drejtësisë për shkak të veprave penale, keqpërdorim i detyrë zyrtare, marrje ryshfeti.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë është caktuar për në orën 13:30.

KALLXO.com raportoi vazhdimisht në lidhje me këto arrestime të cila i kreu Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Lavdim Osmani u arrestua për marrje ryshfeti. Atij gjatë arrestimit iu gjetën 1,450 euro. Osmani ishte arrestuar në flagrancë.

I njëjti është familjar i drejtuesit të Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Bashkim Spahiut.

Hetuesit të dytë, Lutfi Manxhiqit policia i ka gjetur një shumë prej 9 mijë eurove dhe dy Kallashnikovë gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij.

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme ka njoftuar se janë arrestuar edhe tre persona të tjerë.

Një Kryeinspektor në Agjencinë e Regjistrit Civil në MPB është arrestuar gjithashtu gjatë ditës së djeshme, një rreshter në Departamentin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe një afarist nga Kaçaniku.

Dyshimet ishin se rreshteri kishte disa lëndë të afaristit kaçanikas dhe përmes kryeinspektorit të MPB-së merrej ryshfeti për përfundimin e rasteve.