Foto: Hashim Thaçi/ Twitter

Heshtja e Prokurorisë së Prishtinës për kallëzimin penal ndaj presidentit Thaçi

Sot një muaj ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dorëzoi në Prokurori, kallëzim penal kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi, lidhur me veprën penale thirrje për rezistencë.

“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, kishte deklaruar presidenti Thaçi mbrëmjen e datës 23 mars.

Kjo deklaratë sipas ministrit në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përbënte veprën penale thirrje për rezistencë.

Për këtë vepër penale, Kodi Penal ka paraparë dënimin me burgim deri në 3 vite.

Këtë deklaratë të presidentit e ka komentuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani.

Hasani, këtë deklaratë të presidentit e ka quajtur antikushtetuese dhe nën çdo nivel të postit që mban.

KALLXO.com Prokurorisë së Prishtinës i ka dërguar vazhdimisht pyetje nga data 21 prill, se cilat veprime procedurale janë ndërmarrë lidhur me këtë kallëzim penal, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.