Haxhi Shala në paraburgim në Hagë, dështon gjykimi ndaj tij në Kosovë për veprën penale ‘falsifikim i rezultateve të votimit’


Të hënën më 09.12.2024 në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Haxhi Shala, dhe të tjerëve, të akuzuar për falsifikim të rezultateve të votimit. Falsifikimi me vota, sipas Prokurorisë, ka ndodhur në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit të vitit 2021.

Arsyeja pse seanca e sotme ka dështuar të mbahet është për shkak se ka munguar i akuzuari Haxhi Shala. Seanca e sotme ishte e paraparë të vazhdonte me dëgjimin e 5 dëshmitarëve, mirëpo të njëjtit po ashtu nuk ishin prezent në seancën e sotme.

Mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Shala, avokati Xhevdet Smakiqi, i tregoi gjykatës se arsyeja pse i mbrojturi i tij mungon është pasi tani gjendet në Dhomat e Specializuara të Hagës pasi i njëjti akuzohet për vepra tjera penale.

Prokurori Ilir Morina propozoi gjykatës që për Haxhi Shalën të veçohet procedura sepse nuk mund të zvarritet procedura për shkak të një të pandehuri apo të vazhdohet gjykimi në mungesë.

Mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Shala, avokati Xhevdet Smakiqi tha se në këtë fazë të procedurës penale propozimin e prokurorit e konsideron të parakohshëm.

“Pasi nuk përmbushen kushtet e gjykimit mungesë sepse parimi themelore është që i akuzuari të prezantojë fizikisht në proces gjyqësorë, pasi gjykimi në mungesë bëhet me kërkesë të të akuzuarit gjë e cila nuk mund të ndodh dhe nuk ka ndodh dhe as nuk e kom pëlqimin e tij, i propozoj gjykatës që në afat prej 30 ditësh ta kem mundësinë ta konsultoj klientin tim. Me një parashtresë do të ju njoftojmë për vullnetin e tij që të gjykohet në mungesë. Sa i përket veçimit të procedurës do deklarohemi në seancën e radhës”- tha mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Shala, avokati Xhevdet Smakiqi.

Trupi gjykues e aprovoi propozimin e avokatit të akuzuarit Haxhi Shala që të i japë afat prej 30 ditësh.

Seanca e sotme u ndërpre, e radhës është caktuar të mbahet gjatë muajit janar 2025.

Ky rast po trajtohet në përbërje të trupit gjykues Vesel Ismaili (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Violeta Namani Hajra.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori special Ilir Morina.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale për falsifikim të rezultateve të votimit akuzohen Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj dhe Përparim Përvetica.

Pesë të lartcekurit akuzohen se nga 1 janari i vitit 2021 e deri më datën 10 mars të atij viti në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë Kosovë i falsifikojnë rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare  të 14 shkurtit të vitit 2021.

Aktakuza shpjegon se si të pandehurit Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj si punonjës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në marrëveshje paraprake me të pandehurin Përparim Përvetica i falsifikojnë rezultatet e votimit, me qëllim të shtimit të votave për kandidaten Meliza Haradinaj- Stublla nga radhët e AAK-së. Pasi që gjatë numërimit të votave me kusht dhe me postë, i shtojnë 65 vota kandidates për deputete Haradinaj- Stublla.

Tutje, sipas Prokurorisë, më 2 mars të atij viti, i pandehuri Sahit Mataj dhe Arbër Krasniqi takohen me dëshmitarin J. B. (bashkëshorti i kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi), ku gjatë diskutimit i tregojnë dëshmitarit se i kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve duke i shtuar vota kandidates Meliza Haradinaj-Stublla, kurse dëshmitari J. B. i kishte incizuar dhe i kishte publikuar në mediat vendore.

Pas kësaj, gjatë kontrolli të kryer nga KQZ dhe hetuesit e Policisë në QNR janë rinumëruar votat dhe janë konstatuar se kandidates në fjalë i janë shtuar 65 vota.

Pas publikimit të audio-incizimeve, sipas aktakuzës, i akuzuari Përparim Përvetica e thërret të pandehurin Ilirjan Hysenaj në Viber, dhe bisedojnë lidhur me shtimin e votave për Haradinaj- Stubllën dhe për arrestimin e Sahit Matajt e Arbër Krasniqit.

Në pikën dy të aktakuzës, akuzohen Haxhi Shala, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi se me dashje dhe bashkëkryerje i falsifikojnë rezultatet përfundimtare zgjedhore, duke i shtuar vota të pandehurit Haxhi Shala – kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi (djali i motrës së të pandehurit Shala), planifikojnë dhe i shtojnë vota të pandehurit Shala.

Më 1 mars të vitit 2021 i pandehuri Mataj i dërgon SMS Haxhi Shalës me përmbajtje: “Jam nipi i Florimit, më erdhi një informatë se edhe 250 të duhen a është e vërtetë?”. “Po” – i përgjigjet Shala.

Mataj i përgjigjet prapë Shalës: “U kry komandant, po i mshojmë karate, në Drenas tu ka rrit pram me kusht”.

Tutje i akuzuari Mataj vazhdon ta informojë Shalën se në Drenas nga 2 vota i janë bërë 35. Një ditë pas, më 2 mars 2021, Mataj sërish i shkruan SMS Shalës me tekstin: “Komando fort perfekt ka shku, dëgjohemi nesër”.

Më 2 mars 2021, i akuzuari Dardan Gashi i dërgon SMS të pandehurit Mataj: “M*** u bo, m*** u bo më nxunën man, krejt kutinë me qel prap, në rinumërim prap, q*** nanën, natën e mirë”.

Me këto veprime të tre të lartcekurit secili veç e veç akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar rezultatet e votimit.

Për këtë rast marrëveshje për pranim të fajësisë kishin arritur Dardan Gashi dhe i akuzuari Granit Halilaj, për të cilët ishte veçuar lënda.