
Arkiv- Gjykimi i rastit 'Veteranët' - 06.02.2020
Hashim Thaçi ‘shpëton’ nga dhënia e dëshmisë në rastin ‘Veteranët e rrejshëm’
Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar propozimin që të dëgjohet presidenti Hashim Thaçi në cilësi të dëshmitarit në rastin “Veteranët e rrejshëm”.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Nushe Kuka- Mekaj, në seancën e sotme refuzoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Fadil Shurdhaj, avokatit Skender Musa, i cili përmes parashtresës së dorëzuar në gjykatë kishte kërkuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Hashim Thaçi.
Ky propozim sipas gjyqtares Kuka- Mekaj, ishte përkrahur edhe nga disa prej të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.
Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Rrustem Berisha dhe Shukri Buja.
Bashkë me ta akuzohen edhe anëtaret e komisionit për verifikimin e njohjes së statusit të veteranit.
Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët e rrejshëm”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 88,769,217.04 euro.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin e ‘Veteranëve të rrejshëm’ – LINK