Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Nuk e di kush e ka përkrahur kategorizimin e veteranëve

Në Gjykatën e Prishtinës sot është  mbajtur seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Rrustem Berisha dhe Shukri Buja.

Bashkë me ta akuzohen edhe anëtarët e komisionit për verifikimin e njohjes së statusit të veteranit.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor vazhdoi me dëgjimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në cilësi të dëshmitarit, i propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demaliaj, avokati Arianit Koci.

Ramush Haradinaj deklaroi se ka qenë kundër kategorizimit të luftëtarëve dhe sipas tij logjistika hyn në kategorinë e veteranëve.

Në dëshminë e tij, Haradinaj deklaroi se nuk e dinte se kush e ka nënshkruar dokumentin final por se nuk mohoi faktin se i kishte nënshkruar disa dokumente lidhur me evidencat me luftëtarë të propozuara- sjella nga vartësit e tij, dhe se i vetmi aplikacion që ka plotësuar dhe nënshkruar ishte aplikacioni i tij personal.

“Nuk besoj se janë aplikacione, por dokumente me evidencë, me lista të personave. Si aplikacion, vetëm timin e kam nënshkruar. Deri në këtë fazë nuk bëjmë fjalë për aplikacione profesionale bazuar në ligj, por për lista- evidenca”, shtoi Haradinaj.

I pyetur nga i akuzuari Shukri Buja se nëse jo ju, atëherë kush e ka përkrahur kategorizimin e veteranëve, Haradinaj tha: “Nuk e di për besë, por vlerësimi im nga përvoja në luftë rreth një vit e gjysmë pjesëmarrje aktive e kam të pamundshme të krijoj kategori te luftëtarëve, ka luftëtar që ditën e parë që ka marrë armën është vrarë dhe ka luftëtar që kanë luftuar gjithë kohën dhe janë gjallë. Dhe nuk e di si mundet dikush me i dallu këta njerëz. Kemi të vrarë edhe jashtë territorit të Kosovës gjatë furnizimit”.

Ish-kryeministri Haradinaj theksoi se në kohën kur ishte aprovuar ligji i dytë për veteranët e luftës, tha se kishte qenë në procese gjyqësore në Hagë në vitin 2011.

I pyetur se a ishte në dijeni nëse Qeveria e Kosovës ka aprovuar listat përfundimtare të veteranëve te Kosovës, Haradinaj tha se e di që ekziston një listë por nuk e di a është përfundimtare. “Aty ku unë marr vendime nuk ka ardhë një listë e tillë”, tha ai.

Haradinaj theksoi se është në dijeni se ekziston një listë e tillë por nuk e di se nga kush është aprovuar.

“Ka evidencë të shkresave, mund të ketë shkuar nga një ministri në ministrinë tjetër por nuk ka ardhë si listë për vendimmarrje, apo për aprovim në Qeveri derisa isha unë në pozitën e kryeministrit”, shtoi Haradinaj, i cili ka qenë edhe komandant i Zonës Operative të Dukagjinit.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  afro 89 milionë eurove.