Nasim Haradinaj - 18.12.2020

Haradinaj: Kjo prokurori është politike, selektive dhe e njëanshme

Në seancën e paraqitjes së parë pas ngritjes së aktakuzës nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ‘bombardoi’ me fjalë prokurorët e specializuar.

Haradinaj tha se prokurorët e specializuar po duan të heqin vëmendjen nga vetja dhe të kërkojnë fajin tek dikush tjetër për nxjerrjen e dokumenteve nga zyret e tyre.

“Dua të them, se kjo prokuroi do të heqë vëmendjen nga vetja dhe të kërkojë fajin tek dikush tjetër në Kosovë. Siç po shihet këtu Kosova dhe qytetarët e saj janë fajtor, ne duhet të përgjigjemi se si dolën dokumentet e tyre, me mijëra fletë e faqe”, tha Haradinaj.

Ai tha se OVL-UÇK nuk ka pas qasje dhe nuk mund të fajsohet për nxjerrjen e këtyre dokumenteve dhe se në vend të tij do të duhej të akuzohej ndonjëri nga prokurorët e specializuar.

Haradinaj shtoi se të gjithë e kanë ditur qëndrimin e tij dhe OVL-së dhe se ai ta mbajë përgjegjësinë për nxjerrjen e dokumenteve është çmenduri.

“Mohimi i faktit duke e anashkalu se kush i nxori, kush i solli në selinë tonë ato dokumente dhe tani për këtë ta mbajmë ne përgjegjësinë e tyre është çmenduri dhe aspak drejtësi”.

Sipas tij Dhomat e Prokurorive të Specializuara janë politike, selektive dhe të njëanshme.

Kjo është paraqitja e parë e Haradinajt pas ngritjes së aktakuzës.

Ai po akuzohet bashkë me kryetarin e OVL- UÇK-së, Hysni Gucatin për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Haradinaj dhe Gucati kishin dalë para dhomave të Specializuara në kohën kur ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë.

Ata po qëndrojnë në masën e paraburgimit që nga koha kur ishin arrestuar në Kosovë.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktakuza kundër tyre ishte bërë publike me 14 dhjetor të këtij viti.

Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar gjatë muajit shtator në zyrat e OVL-UÇK-së dhe ishin transferuar në Hagë.

Nisen për në Hagë të arrestuarit e sotëm, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj