Haradinaj: Kërkoj zbardhjen e të vërtetës dhe lirimin nga akuza

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Hardinaj, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Prokurorisë lidhur me dënimin e shqiptuar.

Haradinaj ka kërkuar nga Gjykata që të zbardhet e vërteta për sjelljen e dokumenteve.

“Kërkojmë nga ZPS zbardhjen e kësaj ngjarje dhe presim vetëm të vërtetën, sepse nëse e vërteta zbardhet – ka drejtësi. Pra, nga ju kërkojmë drejtësi pa paragjykime, pa anime dhe nuanca politike” – ka thënë Nasim Haradinaj.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar seanca e Apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Të premten Haradinaj ka hedhur kritika të shumta rreth këtij procesi gjyqësor, madje atë e ka krahasur edhe me betejën e “mullinjve të erës”.

“Në këtë sallë gjatë gjithë procesit prokuroria dhe kryetari i trupit gjykues aktruan “betejën heroike me armikun e vërtetë”, ekzakt betejën siç e shpjegon Servantesi në librin e Don Kishotit kundër mullinjve të erës. Duke marrë parasysh këtë edhe fundi i seancës me vendimin që e mori ishte i tillë” – ka thënë ai.

Nasim Hardinaj ka argumentuar se Prokuroria dhe Gjykata kishin qëllim t’i dënonin ata.

“Trupi gjykues ishte haptazi palë me prokurorinë dhe gatuante brumin për një vendim të tillë arbitrar dhe vërehej qëllimi që apriori ishte të dënoheshim ne. Qysh pas arrestimit tonë, në një konferencë të ambasadorëve ishte thënë se ne jemi fajtorë, atëherë trupi gjykues dënimin e ka bërë fakt të kryer, sepse për hesape të ZPS është dashur një vendim i tillë. Jemi të bindur se ky proces është kryer duke pasur forcën e njerëzve të njëanshmërisë dhe të drejtën e mosdhënies llogari askujt” -ka deklaruar Haradinaj.

Në senacën e Apelit, Haradinaj Gjykatës i radhiti 10 pyetje për të cilat kishte shumë pikëpyetje.

“1. Se nga rrodhën ato dokumnete? 2. Si dhe kush e nxori atë dokumnetacion? 3. Kush i solli ato dokumente në Kosovë dhe kush i pranoi ato dokumnete? 4. Kush na i solli neve në zyrë? 5. Nuk po e pyes qëllimin sepse ajo është bërë qartazui këtu gjatë këtyre viteve. 6. Nëse ai personi është marrë vesh me dikënd prej neve, cili është ai person, pasi unë dhe Hysniu nuk jemi? 7. Pse asnjë inspektor i ZPS nuk u tregua i zotë për të kapur ata njerëz? Oficerët vazhdimisht në tri rastet i kishin të dhënat, madje edhe video -filmimet nga kamerat tona të sigurisë, të cilat pas insistimeve dhe këmbëngulësisë sonë u morën. Pse ky hezitim e neglizhencë e prokrurisë? 8. Nëse ai material është aq konfindencial, pse edhe në ditët e sotme janë stoqet e pamarra nga mediat e ndryshme, ato ende janë aty përkundër dijenisë që ka ZPS? 9. Pse vazhdimisht neve na është stopuar të përmendim njerëzit në senaca që para arrestimit tonë ata njerëz janë publikë e të njohur mediatikisht dhe personalisht flasin e deklarohen edhe sot e kësj dite? 10. A është e sigurt se dokumentet kanë arritur vetëm tek ne, dhe  më e rëndësishmja në cilën kohë kohë u nxorën dhe në cilën kohë mbërritën te ne?” – pyeti në seancë Haradinaj.

Pas pyetjeve të parashtruara, Haradinaj kërkoi zbardhjen e të vërtetës dhe lirimin nga akuza.

“Ne duam patjetër zbardhjen e rastit, sepse kur të zbardhet e vërteta neve nuk na lidh asgjë këtu me kryesit e kësaj vepre. Prandaj, ne duhet që të lirohemi nga kjo aktakuzë dhe prokurori të kërkojë falje për sjelljet abuzive, poshtëruese, të pamorlashme dhe të pajustifikuara në baza etike e njerëzore. Duhet ta dijë dhe opinioni publik e ndërkomëbëtar si dhe ai i Kosovës sepse tani është zhvilluar një proces gjyqësor dhe keni marrë një vendim që nuk besoj që ka ndodhur në ndonjë rast tjetër të tillë aspak të argumentuar në ndonjë gjykatë ndërkombëtare apo nacionale te vendeve demokratike” – u shpreh ai.

Haradinaj fjalën e tij e ka përmbylluar duke argumentuar se ata thjesht kanë sinjalizuar dhe e kanë kryer detyrën e tyre në interes publik.

“Fuqishëm besoj se ne kemi kryer detyrën më të devotshme si qytetarë të Kosovës në aspektin e interesit publik po edhe të atij ndërkombëtar ku duke sinjalizuar për rrjedhjen e pakuptimitë nga kjo prokurori ku pos mediave ne kemi informuar edhe  zyrat e ZPS dhe hetuesit e tyre në Kosovë duke ua rujtur një kopje për ata. Por, ZPS i dha vetës afat 24 orësh për të marrë atë material sepse nuk u ngutej t’i marrin më herët. Pra, para se të vinin mediat, hetuesve të tyre u mjaftonin 12 minuta të arrinin në zyret tona. Kurse për media, ishte dhënë afati 1-3 orë. Ne nuk kemi kryer asnjë veprim tjetër përpos që kemi lajëmruar përmes faqes tonë zyrtare mediat dhe dy prokruroritë” – tha Haradinaj.

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), janë arrestuar me 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe që nga kjo kohë gjenden në paraburgim.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj 2022 u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Gucati e Haradinaj u gjetën fajtorë se mes datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyret e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Haradinaj dhe Gucati akuzoheshin se gjatë shtatorit të vitit bën 2020 bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit të OVL-UÇK-së mbajtën konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP, Gucati e Haradinaj mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Për këto akuza, Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.