Një nga mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) FOTO: KALLXO.com

Hapet konkursi për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale dhe asaj të Prishtinës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka miratuar rregulloren për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokuroreve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.

Pas miratimit të rregullores, unanimisht u votua për hapje të konkursit për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale dhe kryeprokuror të Prokurorisë së Prishtinës.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni ka thënë se është bërë një punë e jashtëzakonshme për hartimin e kësaj rregullore.

“Komisioni për çështje normative ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, ka pasur dëgjim publik kanë dhënë komente të gjithë ata që kanë qenë të interesuar për këtë çështje”, ka deklaruar Hyseni.

Ndërsa kryetari i Komisionit për çështje normative, Zejnullah Gashi ka theksuar se kjo rregullore është hartuar në bashkëpunim me Ambasadën britanike në Kosovë dhe shoqërinë civile.

“Hartimi i rregullores është bërë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ambasadën britanike si dhe akter të tjerë si shoqëria civile. Unanimisht të gjithë anëtaret e këshillit e votuan miratimin e kësaj rregullore”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë se me qëllim të hartimit të kësaj rregulloreje anëtaret e KPK-së e kishin autorizuar Komisionin për Çështje Normative që në një afat sa më të shpejtë të bëj hartimin e rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokuroreve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.

Rregullorja ishte paraparë që të përshtatej bazuar në ndryshimet ligjore si dhe në aktgjykimin nga Gjykata Kushtetuese, për çka ishte anuluar edhe konkursi për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.

Pas miratimit të rregullores, unanimisht anëtarët e KPK-së votuan për hapjen e konkursit për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.

Konkursi do të jetë i hapur 15 ditë nga dita e shpalljes.

Unanimisht anëtarët e KPK-së votuan edhe për hapjen e konkursit për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.