
Haki Rugova përsëri para gjykatës
Haki Rugova është ulur sërish sot në bankën e të akuzuarit për veprën penale konflikt interesi.
“Nuk e ndiej vetën fajtor”, ishin fjalët e Haki Rugovës sot para gjykatës.
Ky proces gjyqësor ka filluar sot nga fillimi pas ndërrimit të trupit gjykues.
Sot palët në procedurë pritet të japin fjalën hyrëse.
Ishte marsi i vitit 2018 kur prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, për vepër penale konflikt interesi.
Për 3 vite gjykata e Pejës nuk ka arritur të përfundojë shqyrtimin gjyqësor ndaj Rugovës.
“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.
Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë’.
Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.