Foto: KALLXO.com

Gruaja që akuzohet se kërkoi vrasjen e burrit dhe të tjerët nuk e pranojnë fajësinë

Pas më shumë se 6 vite nga vdekja e Abedin Bytyqit, të akuzaurit Murat Ademi, Resmije Bytyqi, Reshat Ademi e Fadil Fetiu për të tretën herë po ballafaqohen me akuzën e vrasjes.

Abedin Bytyqi nga Suhareka, ishte zhdukur në tetor të vitit 2016, e pas disa kohe trupi i tij u gjet në një mal i djegur e i groposur.

Dy herë Gjykata ka marrë dënim duke i shqiptuar 57 vite burgim të akuzuarve, por instanca e dytë e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza e ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Të mërkurën pas leximit të akuzës të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë.

Gjykimi më tej vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve.

Genc Nixha, prokuror i çështjes deklaroi se në bazë të provave do të vërtetohet marrëveshja paraprake mes të akuzuarës dhe djemve të axhës së saj, Murat e Reshat Ademi me qëllim për ta vrarë dhe zhdukur Abedin Bytyqin.

“Nga provat do vërtetohet se fillimisht i ndjeri është kidnapuar dhe është dërguar në një vend të caktuar e më pas me qëllim të zhdukjes së provave trupi i tij është djegur dhe është groposur” – ka deklaruar prokurori Nixha.

Prokuroria më tej ka shtuar se motivi ka qenë eliminimi i bashkëshortit me kërkesën e të akuzuarës për shkak të raporteve të këqija.

Fjalën hyrëse e dha edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Blerim Mazreku i cili kërkoi drejtësi për çështjen dhe dënim për të akuzuarit.

“Kanë kaluar më shume se 6 vjet e për çdo ditë të vetme, Avdi Bytyqi (babai i viktimës) kërkon drejtësi për djalin praktikisht të masakruar nga bashkëshortja e saj me ndihmën e familjarëve të vetë dhe personat që gjenden në këtë gjykim” – u shpreh Mazreku.

Edhe të akuzuarit dhe mbrojtësit e tjerë dhanë fjalën hyrëse.

Arben Ramazani, avokat i të akuzuarit Reshat Ademi deklaroi se akuza nuk përmban asnjë përshkrim që ndërlidhet me provat të cilat janë veprime se Reshat Ademi qëndron në kualifikim të kësaj akuze.

Durim Nevzati, mbrojtës i Remsije Bytyqit shtoi se pas kthimit të çështjes në rigjykim do të vërtetohet e kundërta e akuzës së përshkruar nga prokuroria.

Ndërkaq, Sefer Morina, mbrojtës i Fadil Fetiut theksoi se dy herë gjykata ka vendosur për këtë çështje me aktgjykim dënues por për shkak të mungesës së provave çështja është kthyer në pikën zero.

“Konsiderojë se gjatë shqyrtimit gjyqësor nga provat që do të administrohen dhe pretendimet e akuzës do të bien dhe nuk do të vërtetohen me asnjë provë se i mbrojturi im është kryes i kësaj vepre për të cilën ngarkohet”-ka cituar avokati Morina.

Paraprakisht në këtë seancë, Florim Vërtopi, mbrojtës i të akuzuarit Murat Ademi ka kërkuar që fjalën hyrëse ta japë në seancën e radhës meqenëse tash është caktuar si mbrojtës.

I njëjti ka parashtruar kërkesë që për shkak të problemeve shëndetësore Murat Ademi të transferohet nga burgu i Dyzit në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani do të kërkojë raport të veçantë me shkrim për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit.

Seanca e radhës u caktuan për më 16 dhe 21 mars 2023.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2021, Gjykata e Prizrenit dy herë i kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Por me vendimin e Apelit rasti është kthyer në pikën zero.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK