Foto: Kallxo.com

Gruaja e Sami Lushtakut negocion pranimin e fajësisë për lehtësim të arratisjes së burrit nga QKUK

Në gjykimin ndaj Sami Lushtakut për arratisjen nga QKUK-ja, gruaja e tij dhe e bashkë-akuzuara, Mervete Hasani Lushtaku, negocion me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Me të filluar seanca prokurorja speciale Florije Shamolli, i propozoi gjykatës që seanca e sotme të ndërpritet për shkak se me të akuzuarën Mervete Lushtaku kanë filluar bisedimet për marrëveshjen e pranimit të fajësisë për veprën penale “lehtësim i arratisjes së personit të privuar nga liria”.

Poashtu prokurorja Shamolli ka deklaruar se edhe dy të akuzuar të tjerë janë të interesuar për të hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë por për shkaqe procedurale nuk i përmendi emrat e tyre.

Andaj seanca e radhës u caktua për datën 2 dhjetor për dëgjimin e dëshmitarëve Afrim Ahmeti, Zyrafete Imeraj, Besa Sahiti e Sokol Zogaj.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

Aktakuza përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues. Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë. Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.