Foto: Kallxo.com

Grabitja në Vushtrri: Të akuzuarit pranojnë fajin, dënohen me nga një vit e gjysmë burg

Gjykata e Mitrovicës i ka dënuar me nga një vit e 6 muaj burgim të akuzuarve Endrit Hajdari dhe Fatos Zenuni për një grabitje të kryer në korrik të këtij viti në Vushtrri.

Hajdari e Zenuni gjithashtu janë obliguar nga gjykata që një kompanie t’ia kthejnë 250 eurot e grabitura.

Sipas prokurorisë, Endrit Hajdari dhe Fatos Zenuni akuzohen se në korrik të këtij viti me përdorimin e forcës dhe me kanosje serioze për të sulmuar jetën e personit tjetër, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim që t’i sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme.

Aktakuza thotë se derisa dëshmitarja ka qenë duke pastruar xhamat e vitrinës së lokalit – filiala për transferim të parave “Kapital Ria”, ajo i kishte parë dy persona me maska në kokë duke shkuar në drejtim të saj.

E dëmtuara nga frika ka hyrë brenda në lokal, ndërsa menjëherë pas saj kanë hyrë edhe dy të pandehurit duke i kërkuar para. I pandehuri Endrit Hajdari, sipas akuzës, kishte pasur maskë në fytyrë, ia kishte bërë me dije të dëmtuates se kishte armë.

Me pas Hajdari kishte hyrë në arkë dhe i kishte marrë paratë në vlerë prej 250 euro. Më pas e kishte hapur edhe çantën nga ku kishte marrë kuletën e saj.

Me këtë akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes.

Me rastin e mbajtjes së seancën në gjykatën e Mitrovicës të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për këtë vepër.

I akuzuari Endrit Hajdari ka thënë para gjykatës të hënën se e pranon fajësinë duke shprehur keqardhje para gjykatës.

“E pranoj fajësinë kërkoj falje prej gjykatës dhe prej palës së dëmtuar. Jam penduar për këtë që kam bërë, dhe pendohem shumë”, tha Hajdari.

Pendesë dhe kërkim falje nga gjykata dhe pala e dëmtuar ka shprehur edhe i akuzuari Fatos Zenuni.

“E pranoj fajësinë, jam penduar thellësisht, i kërkoj falje gjykatës gjithashtu edhe palës së dëmtuar”, u shpreh Zenuni.

Pranimi i fajësisë u mbështet nga prokurorja e rastit Fetije Bajrami Shala dhe mbrojtësit e të pandehurve, avokatet Gani Rexha dhe Gazmend Ismajli, kurse u aprovua nga gjykatësi Radoslav Markoviq.