Prangosja

Grabitja në Raushiq, arrestohen tre persona

Policia  ka arrestuar tre persona për një grabitje të armatosur që ka ndodhur në fshatin Raushiq të Pejës më 3 gusht.  

Dy prej të arrestuarve janë të mitur.

Sipas viktimës, derisa ishte duke udhëtuar me veturë e ka vërejtur një pengesë në rrugë dhe i njëjti ka ndaluar për ta larguar pengesën.

Më tej ai ka thënë se aty kanë dalë të dyshuarit ku njëri nga ta kishte një armë në dorë dhe nën kanosje ka grabitur çantën në të cilën gjendeshin  rreth 226 euro dhe 100 franga. Më pas ata janë larguar në drejtim të panjohur.

Policia e Kosovës me të marrë informatën ka shkuar në vendngjarje.

Viktima e rastit është goditur disa herë nga të dyshuarit, ka pranuar tretman mjekësor dhe sipas mjekut ka pësuar lëndime të lehta.

Policia e Kosovës, njësiti Rajonal i grabitjeve, pas një pune intensive operativo-hetimore sot ka arritur që të identifikojë dhe më pas të arrestojë 3 personat e dyshuar.

Me vendim të prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve. 

Për njërin nga personat e mitur janë caktuar 24 orë ndalim policor ndërsa personi i dytë i mitur është liruar në procedurë të rregullt, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.