Shpallja e aktgjykimit - Foto: KALLXO.com

Grabitja në pompën e derivateve në Skenderaj, dënohet me burg i akuzuari

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me 3 vjet e 5 muaj burgim dhe 300 euro gjobë Mërgim Hoxhën, i akuzuar për dy vepra penale – grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Aktgjykimin e shpalli gjykatësi Radosllav Markoviq.

I akuzuari e kishte pranuar në tërësi fajin për akuzat që i viheshin në barrë nga Prokuroria.

3 vite e 3 muaj burgim dhe 300 euro gjobë, Hoxha u dënua për për veprën penale të grabitjes  ndërsa për veprën në pikën II të aktakuzës atë të armëbajtjes pa leje u dënua me 5 muaj burgim.

Ndërsa dënimi unik të akuzuarit i llogaritet 3 vjet e 5 muaj burgim dhe 300 euro gjobë.

Po ashtu, nga Gjykata i pandehuri Hoxha është i obliguar që të paguajë shumën prej 50 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe shumën në vlerë prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Sipas aktakuzës, në tetor 2019, në fshatin Polac të Skenderajt, së bashku me të pandehurin Olsi Nazari, me qëllim që vetit t`i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme me përdorimin e armëve, kanë kanosur seriozisht jetën e punëtorit te pompës se benzinës, Jeton Ahmeti.

I pandehuri Olsi Nazari, sipas shkresave të lëndës, është shtetas i Shqipërisë dhe ai gjendet në arrati.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hoxha, i pajisur me armë zjarri me gaz, ndërsa i pandehuri Olsi Nazari, me armë të tipit shtatëshe, së pari kishte shtënë me armë në xhamin e pompës së benzinës “Alfa Trade”, pastaj kishin thyer xhamin me shqelma dhe ishin futur brenda në pompën e benzinës, me ç ’rast i pandehuri  Olsi Nazari, kishte drejtuar armën ndaj punëtorit të pompës, e kontrollon në xhepa dhe prej tij merr 900 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, të pandehurit me një veturë “Golf 2”, të cilin e drejtonte i pandehuri Hoxha, largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “grabitje”.

Kurse në pjesën e dytë të aktakuzës thuhet se më 10 tetor 2019, në fshatin Polac të Skenderajt, në shkelje të ligjit të  zbatueshëm mbi armët i pandehuri Hoxha ka poseduar pistoletën me gaz.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.