Grabitja në Pejë, i akuzuari refuzon të ngritet në këmbë për të dëgjuar aktakuzën

Ilir Isufi ka dalë sot para Gjykatës së Pejës për t`u përballur me akuzën e prokurorisë për grabitje.

Ai është ekstraduar nga shteti i Zvicrës përmes letërrreshtimit ndërkombëtar, ndërsa sot nuk e pranoi fajësinë për akuzën që i bie në barrë.

Me rastin e leximit të aktakuzës nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, gjyqtari Sami Sharraxhiu i kërkoi të akuzuarit të ngritët në këmbë dhe të e dëgjoi aktakuzën.

Isufi refuzoi fillimisht të ngritët në këmbë.

“Ti pasi po thuash gjyqtar, se për prokuroren jo”, tha ai pasi u ngrit në këmbë për të dëgjuar aktakuzën.

Pas leximit të aktakuzës, gjyqtari Sharraxhiu e pyeti te akuzuarin se a e ka kuptuar aktakuzën, ndërsa ai deklaroi se as nuk e ka dëgjuar.

“As nuk e ndigova, këtë prokurore nuk e ndigoj, edhe kjo vete e din se nuk jam fajtor”, tha ai.

Gjyqtari e paralajmëroj të akuzuarin qe mos të prish rendin dhe qetësinë në gjykatë sepse përndryshe mund të e përjashtojë nga procesi.

Gjykimi vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve në procedurë.

Prokurorja Disha-Haxhosaj tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor me rastin e dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të provave do të vërtetohet fajësia e Ilir Isufit.

“Pas dëgjimit të dëmtuarit Izet, i cili do të tregoj se sa natë ka qenë i akuzuari në lokalin ku është kryer vepra, pastaj do e dëgjoni rrëfimin nga ai si është kryer vepra penale, dhe se kush ka shku në spital për të marrë informata për gjendjen e tij shëndetësore”, tha prokurorja.

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit Ilir Isufi, avokati Gëzim Kollqaku tha se aktakuza e prokurorisë nuk ka mbështetje në provat materiale dhe kështu në mungesë të provave i mbrojturi i tij do të lirohet nga aktakuza.

“Do të vërtetohet se i mbrojturi im për asnjë moment nuk ka fol në telefon më të pandehurit/dënuarit, Xhavit dhe Xhevat, këtë e them ngase asnjë provë në këto shkresa të lëndës nuk është paraqitur nga prokurorja qe e vërteton këtë fakt” tha Kollqaku.

I dëmtuari Izet Honsiq, që është pronar i lokalit ku ka ndodhe grabitja tha para trupit gjykues se të akuzuarin e njeh si klient në lokalin e tij dhe se natën kritike ai ka qenë në lokal.

“Natën kritike ka qenë Iliri, Fadil Ahmeti, Xhevdet Kurbogaj dhe 5-6 persona tjerë që tash i kam harruar”, tha i dëmtuari.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores se a ka pas dijeni Iliri për shumen e të hollave që i ka pasur ai atë natë, i dëmtuari tha ‘po ka mujtë me e ditë, se unë i kam nxjerre parat nuk i kam fshehur’.

Ai tha se i akuzuari atë natë ka biseduar dhe shkruar në telefon tërë kohen sa nuk ka qenë duke luajtur.

“2 ora e kam mbyll lokalin, mysafiret kanë dal të gjithë përnjëherë, sikurse të i kishin bërë fjalët”, tha ai.

Ai tha se pasi kanë dale mysafiret nga lokali nuk kane kaluar as 5 minuta dhe ka ndodhe grabitja, duke shtuar se pasi ai ishte shtrire në spital, familjaret e kishin njoftuar se aty ishte paraqitur i akuzuari Ilir për t’u interesuar për shëndetin e tij.

“M`u Iliri nuk me ka kontaktu por ka kontaktu me Xhevdetin, e Xhevdeti me tha se Iliri i ka thënë se unë jam i pafajshëm dhe nëse dal unë fajtor, unë të kam borxh”, shtoi tutje dëshmitari.

Avokati Kollqaku pati vërejtje në mënyrën e parashtrimit të pyetjes nga ana e prokurores, e cila iu referua ngjarjes me ‘pasi është zbulu rasti..’, pasi sipas prokurores aktakuza ka marrë formën e prerë.

Sipas avokatit rasti duhet të vërtetohet e zbulohet në shqyrtim gjyqësor, e jo te prejudikohet çështja me këto deklarime.

“Unë nuk kam pas kulet e kam pas një tub me para dhe siç e ceka me herët ato pare i kam përdor me e pagu personin që fiton por sipas nevojës edhe me bo para të imta”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Kollqaku.

Pasi mbrojtësi e ballafaqoi të dëmtuarin me deklaratën e tij të dhënë në polici, ai tha se gjatë asaj natë nuk i ka kërkuar askush për të bërë para të imta, por se i ka mbajtur në rast nevoje.

Prokurorja pati vërejtje në këtë ballafaqim të avokatit, pasi sipas saj ai po e vë në lajthitje të dëmtuarin.

Ndërsa në cilësinë e dëshmitarit u ftua edhe Gazmend Shaqiri, i cili qëndroi pranë deklaratave të tij te mëhershme.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 24 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës ky rast ka ndodhur më 29 dhjetor të vitit 2013, ku i akuzuari Ilir Isufi dhe dy të dënuarit Xhavit Berisha dhe Xhevat Daciq kanë sulmuar jetën e Izet Honsiq dhe Gazmend Shaqirit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Kështu sipas dosjes së prokurorisë, i akuzuari Ilir Isufi e ka përcjellë për 3 natë të dëmtuarin Izet Honsiq, dhe kur e kishte kuptuar se i dëmtuari ka një shumë të madhe të parave të fituar gjatë lojës së klientëve në bastore, ai i kishte njoftuar dy të dënuarit tjerë Xhavit dhe Xhevatin për të hyre që të kryejnë grabitjen.

Prokuroria thotë se i akuzuari Ilir del së bashku me klientët tjerë që kanë qenë duke luajtur bastore, ku pas kollitjes së tij,  dy të dënuarit Xhavit dhe Xhevat hyjnë në lokal.

Sipas aktakuzës i dënuari Xhevat Daciq shtënë në drejtim të dëmtuarit Izet, duke e plagosur, ndërsa i dënuari tjetër Xhavit Berisha ia merr të hollat të dëmtuarit, por që pas rezistencës së të dëmtuarit, i dënuari  Xhevat shtënë prapë me armë të dëmtuarin duke e plagosur përsëri.

Aktakuza thotë se i dëmtuari tjetër Shaqiri largohet duke u fshehur në podrum.

Shuma që prokuroria po pretendon se është marrë nga i dëmtuari Honsiq është 8000 mijë euro. Kjo shumë e të hollave sipas aktakuzës është ndarë në mes të të akuzuarit Ilir Isufi dhe të dënuarve Xhavit Berisha dhe Xhevat Daciq.