Burgu i Sigurisë së Lartë - Foto: KALLXO.com

Grabitësit e rrezikshëm të Prishtinës janë të paraburgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë

Leutrim Latifi, Kastriot Shala e Egzon Sheqiri, të dyshuar për një numër të madh të grabitjeve janë shoqëruar nga Policia e Kosovës për të vuajtur  masën e paraburgimit prej 30 ditëve në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Kjo pasi Apeli kishte ndryshuar vendimin e 18 shtatorit të Gjykatës së shkallës së parë në Prishtinë me të cilin të akuzuarit ishin liruar nga masa e paraburgimit për t’u paraqitur në Stacionin Policor.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, Isuf Iberdemaj, i cili tha se sipas Qendrës Operative tre të pandehurit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për vuajtjen e paraburgimit .

Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj, konfirmoi se  tre të dyshuarit gjenden për mbajtjen e paraburgimit në Burgun e Sigurisë e Lartë.

Ndërsa zyra e informimit e Shërbimit Korrektues të Kosovës ka bërë të ditur se Latifi, Shala e Sheqiri më 24 shtator 2020, ishin sjellë nga Policia e Kosovës për mbajtjen e paraburgimit.

Tre të dyshuarit qëndrojnë në Pavijonin e njëjtë por në qeli të ndara, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Leutrim Latifi, Kastriot Shala e Egzon Sheqiri po dyshohen për grabitje, moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, armëmbajtje pa leje dhe zjarrvënie.

Gjykata e Prishtinës kishte refuzuar të na lejonte qasje në Aktvendimin e datës 18 shtator me të cilin të akuzuarit i liroi nga paraburgimi dhe u caktoi masën e paraqitjes në Stacionin Policor.