Gjykata Themelore e Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Gjyqtarja që ka dënuar Sokol Bashotën kalon në krye të Gjykatës në Klinë

Sabrije Rraci është zgjedhur gjyqtare mbikëqyrëse e Gjykatës në Klinë.

Zgjedhja e saj është bërë sot nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës me shumicë votash për një mandat 5 vjeçar.

Rraci është gjyqtare në departamentin e përgjithshëm penal në Gjykatën në Klinë.

Gjyqtarja Rraci ka gjykuar rastin penal të Sokol Bashotës, ndaj të cilit është marrë aktgjykim dënues.

Gjyqtarja pasi kishte përfunduar procesin gjyqësor ndaj tij, e kishte dënuar atë me burgim me kusht nga 6 muaj në afat verifikimi prej 1 viti, si dhe me 1200 euro gjobë.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.

Gjyqtarja Sabrije Rraci në vitin 2000 ka punuar në Gjykatën Komunale në Klinë në pozitën e administratores. Në këtë pozitë ka punuar deri në vitin 2012.

Nga viti 2013 deri në maj të 2015 ka punuar si bashkepunëtore profesionale në gjykatë, ndërsa nga viti 2015 është emëruar gjyqtare në të njëjten gjykatë ku edhe punon tani.