Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Gjyqtari në Deçan është gjetur përgjegjës për dy shkelje disiplinore, i zvogëlohet paga për 30% për 6 muaj

 

Bekim Avdimetaj, gjyqtar në Gjykatën e Pejës, Dega në Deçan, është gjetur përgjegjës për dy shkelje disiplinore.

Këshilli gjyqësor i Kosovës pas zhvillimit të procedurës disiplinore ka gjetur se gjykatësi Avdimetaj ka rënë ndesh me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Bekim Avdimetaj, gjyqtar në Gjykatën e Pejës, Dega në Deçan

Në njërin rast gjykatësit i është bërë zvogëlimi i pagës për 30% në periudhë prej 6 muajve, ndërsa në rastin tjetër disiplinor i është shqiptuar vërejtje publike me shkrim.

Me vendimin përmes të cilit i është zvogëluar paga, gjykatësi Avdimetaj është gjetur se nuk ka marrë më kohë masat e duhura në një lëndë gjyqësore duke shkaktuar kështu zvarritje në procedim të lëndës që sipas përshkrimit në vendim të KGJK-së, është lëndë që kërkon trajtim urgjent.

Gjykatësi Avdimetaj për këtë lëndë gjyqësore ishte ngarkuar në nëntor të vitit 2019 dhe seanca përgatitore ishte mbajtur me 6 janar 2020, dhe në të njëjtën ditë gjyqtari kishte urdhëruar ekspertin që në afat prej 7 ditëve të dorëzonte me shkrim ekspertizën.

Sipas vendimit të KGJK-së, ekspertiza nuk i është dorëzuar gjykatësit brenda afatit kohor, por që gjyqtari Avdimetaj nuk ka ndërmarr asnjë veprim në këtë drejtim duke lejuar kështu vonesë prej një viti në procedim të lëndës.

KGJK ka vlerësuar se gjyqtari me qëllim të mos prolongimit të lëndës ka mundësinë e revokimit të vendimit me të cilin është caktuar eksperti dhe të caktojë një ekspert tjetër.

“Të njëjtët gjyqtarë për vonesën e dorëzimit të ekspertizës nga eksperti Ahmetaj nuk e kishin njoftuar Kryetarin e Gjykatës në kuptim të Rregullores për emërimin e ekspertëve gjyqësor”, thuhet tutje në vendim të KGJK-së.

Gjykatësi Avdimetaj është arsyetuar se për shkak të pandemisë e ka thirrë disa herë gjeodetin, mirëpo ky i fundit sipas tij nuk është përgjigjur, dhe gjykatësi në këtë drejtim ka nxjerr aktvendim me të cilin e ka dënuar me gjobë ekspertin për vonesë të ekspertizës.

Mirëpo, sipas vendimit të KGJK-së, gjyqtari Avdimetaj ka marrë aktvendimin për gjobitje të ekspertit vetëm pasi autoriteti kompetent ka filluar inicimin e procedurës disiplinore për këtë rast.

Ankuesi i kësaj lënde ka pretenduar se edhe gjykatësi Nexhat Musaj ka kryer shkelje disiplinore në një rast tjetër.

Edhe për këtë gjykatës, KGJK-ja ka gjetur se ka kryer shkelje disiplinore, duke i shqiptuar vërejte publike me shkrim.

“Kurse për gjyqtarin Nexhat Musaj i cili tani është i pensionuar vlerësoj se si masë adekuate për të është masa e vërejtjes publike me shkrim”, thuhet në vendim të KGJK-së.

Një vendim tjetër i publikuar nga KGJK, vë në pah se gjyqtari Bekim Avdimetaj është gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore edhe në një rast tjetër.

Për këtë rast atij i është shqiptuar masa disiplinore- vërejtje publike me shkrim.

Ky rast është zhvilluar pas një njoftimi nga mbikëqyrësi i Gjykatës në Deçan, gjyqtarit Sulltan Dobraj.

“Kryesuesi i Panelit Hetimor në fjalën hyrëse dhe përfundimtare ka deklaruar se zhvillimi i hetimit disiplinor është bërë në bazë të një shkrese të dërguar nga mbikëqyrësi i Gjykatës Themelore në Peje-dega në Deçan te Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se gjyqtari Bekim Avdimetaj lëndët me numër Cinr. 129/2018, C.nr.260/2017, C.nr.12/20 12, C.nr.96/2017, C.nr.229/2007, C.nr.29/20 15, C.nr.115/20 14, në mënyrë të paarsyeshme i ka bartur nga zyra e vet tek zyra e ish gjyqtarit Nexhat Musaj, si dhe nuk kishte ndërmarr asnjë veprim konkret në drejtim të zgjidhjes së tyre me qëllim të përfundimit brenda afatit kohor të arsyeshëm”, thuhet në arsyetimin e vendimit të KGJK-së.

KGJK pas vlerësimit të provave ka konstatuar se gjyqtari Avdimetaj ka bërë shkelje pasi që ka bërë bartjen e 7 lëndëve nga zyra e tij te zyra e gjykatësit Nexhat Musaj.

Sipas KGJK-së kjo bartje e lëndëve është bërë nga referenti me kërkesë të gjykatësit Avdimetaj, ndërsa sipas rregullores bartja e lëndëve nga një gjyqtar te tjetri bëhet vetëm me vendim të kryetarit të Gjykatës, e që në rastin konkret nuk ka pasur një vendim të tillë.

Paneli hetimor ka konstatuar se lëndët janë kthyer në zyrën e gjyqtarit Avdimetaj, mirëpo ky kthim është bërë vetëm pasi gjyqtari mbikëqyrës Sulltan Dobraj ka kërkuar nga gjykatësi Avdimetaj sqarim lidhur më këtë bartje.

Arsyetimi i gjykatësit Avdimetaj për këtë bartje të lëndëve ka qenë se lëndët kanë qenë komplekse dhe gjyqtari Musaj sipas tij është më me përvojë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për gjykatësin Avdimetaj.

Ramush Haradinaj në kafe me gjykatësin nga Deçani – FOTO