Arkiv. Foto: Kallxo.com

Gjyqtari kalon në Gjykatën e Apelit, nuk mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e kushëririt

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, ishin paraparë të dalin sot para gjykatësit, por seanca ndaj tyre dështoi të mbahet.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte fakti se kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, kanë vrarë kushëririn e tyre Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh, kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e kishin goditur tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Seanca që është dashur të mbahet sot u shty për muajin janar 2021.

Dëshmitari rrëfen në gjykimin e të akuzuarve për vrasjen e kushëririt të tyre