Gjyqtari i akuzuar Rafet Ismaili dhe polici Blerim Gashi mbrohen në heshtje

Ish-gjyqtari Rafet Ismaili dhe polici Blerim Gashi, të cilët akuzohen për ushtrim ndikimi, mbrohen në heshtje.

I akuzuari Rafet Ismaili, tha se mbetet prapa deklaratës të dhënë në procedurë paraprake më 8 nëntor 2019, dhe se e shfrytëzon të drejtën të mbrohet në heshtje.

Njëjtë ka deklaruar edhe i akuzuari Blerim Gashi, ai ka thënë se qëndron prapa deklaratës së dhënë më 23 tetor 2019.

Më pas dy të akuzuarit kanë deklaruar se asnjëherë më parë nuk janë dënuar për ndonjë vepra penale.

Në fillim të seancës gjyqësore është bërë administrimi i provave, ku janë lexuar kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, kërkesta për shtyrjen e dënimit, transkriptet e përgjimit për të akuzarin Rafet Ismailin, transkriptet e siguruara përmes masave të fshehta në vende publike dhe private për dy të akuzuarit, foto dokumentacion si dhe CD.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Ismaili, avokati Tahir Rrecaj, ka deklaruar se ka vërejtje në kuptim të mbrojtjes, ndërsa për elaborimin dhe vlerësimin e tyre do të deklarohet në fjalë përfundimtare.

Kurse, mbrojtësi i Blerim Gashit, avokati Ramë Gashi tha se ka vërejtje sikurse ato të parashtruara në kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të akuzës që e ka dhënë në fjalën hyrëse.

Seanca është caktuar për datën 14 dhjetor, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.

Kujtojmë se pas ngritjes së aktakuzës, gjykatësi Rafet Ismaili është pezulluar nga puna dhe merr pagën me zbritje prej 50%.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Ismaili më 28 gusht 2019 në veturën e dëshmitarit F. Z. derisa ishin duke udhëtuar nga Skenderaj për në Prishtinë ka marrë 1,500 euro me qëllim që të ushtrojë ndikim te kryetari i Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ismaili kishte për qëllim të ushtrojë ndikim te kreu i Gjykatës së Mitrovicës për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim prej 4 vjet e 10 muaj ndaj dëshmitarit F. Z.

Ndërsa për ish-zyrtarin policor Blerim Gashi, Prokuroria thotë se më 28 gusht 2019, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kishte marrë shumën prej 1,000 euro nga dëshmitari F. Z. me pretendimin se i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim te gjykatësit e Gjykatës Supreme.