Rrahim Hashimi - Foto: KALLXO.com

Gjyqtares i duhet më shumë kohë për përpilimin e aktgjykimit ndaj Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit

Dje është bërë një muaj nga momenti kur Gjykata e Prishtinës shpalli vendimin me të cilin dënoi Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin nën akuzat e prokurorisë për mashtrim të Faton Dalladakut lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Rrahim Hashimi është dënuar me 3 vjet e 9 muaj, ndërsa Kadri Rexhepi me 3 vjet burgim.

Gjyqtarja e çështjes Medie Bytyqi ka parashtruar kërkesë Kryetares së Gjykatës në Prishtinë, për zgjatjen e afatit ligjor për përpilimin e aktgjykimit.

Nga zyrtarja për informim, KALLXO.com konfirmoi se kryetarja e Gjykatës e ka miratuar kërkesën e tillë duke i dhënë afat shtesë për përpilimin e aktgjykimit.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve. Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!