Foto: Kallxo.com

Gjykimi për vrasjen e policëve në 2004: Dëshmitari tregon për takimin në kullën e Haradinajve në Gllogjan

Tre dëshmitarë janë dëgjuar sot në gjykatën e Prishtinës, në procesin në të cilin Bedri Krasniqi e Alban Dizdari po akuzohen për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një polici të UNMIK-ut në vitin 2005.

Arben Neziraj, Bajram Kiçmari dhe Jeton Sylejmani u dëgjuan të enjten pasi ishin propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Alban Dizdari, avokati Ndrec Dodaj,

Kur doli para gjykatës, dëshmitari Arben Neziraj tregoi për njohjen e tij me të akuzuarin Dizdari.

Ai tha se merret me biznesin e shitblerjes së veturave që nga paslufta.

Dëshmitari Neziraj deklaroi se Alban Dizdarin e njeh prej 2009 apo 2010, përmes shokëve të tij nga Peja. Para vitit 2009, tha se nuk kishte dëgjuar për të.

Ndërsa Bedri Krasniqin tregoi se e njeh prej shkollës së mesme. Me të tha se nuk kishte pasur ndonjë miqësi por kishin qenë bashkëluftëtarë.

Arben Neziraj tha se me Bedri Krasniqin pas luftës herë herë kishin pirq kafe kur i kishte zënë puna apo kur kishin pasur ndonjë tubim përkujtimor.

Ai tha se më 24 mars 2004 kishte qenë në Gllogjan në tubimin përkujtimor të “Epopesë së Dukagjinit” dhe aty kishte parë persona të njofshëm në mesin e të cilëve dëshmitari tregoi se kishte qenë edhe Bedri Krasniqi.

“Ka qenë Epopeja e Dukagjinit. Mblidhemi krejt bashkëluftëtaret, njihemi krejt bashkëluftëtarët mes veti. Me kujton tubimin përkujtimor. Përndryshe e quajtur Epopeja e Dukagjinit”, shtoi dëshmitari Neziraj.

Ai deklaroi se kishte vozitur shumë vetura, ndërsa nuk i kujtohej nëse kishte vozitur veturën e markës “Isuzu Trooper”.

Tutje shtoi se e kishte kuptuar kur ishte bastisur se këta janë persona që po dyshohen se kanë marrë pjese në këtë rast dhe nuk e kishte kuptuar nëse është dikush tjetër i dyshuar në këtë rast pasi që tha se nuk i kishte interesuar.

Ai tha se nuk kishte të bënte me këtë rast dhe se Shkumbin Mehmetin nuk e njihte dhe se nuk kishte arsye që të bisedonte rreth ngjarjes së vitit 2004.

Duke folur për Bedri Krasniqin, ai tha se e njihte që nga shkolla e mesme “si nxënës shumeë i mirë, ma i miri në klasë në teknikë”.

“Ky ka qenë nxënësi me i mirë në teknikë, unë nxënesi më i mirë në shoqëror”, tha ai

Ai tregoi se atë ditë në Gllogjan në kullat e Haradinajve kishin qëndruar aty deri pasdite, pasi që kishin bërë homazhe dhe pastaj kishin pasur edhe ndejë.

Në pyetjen e gjyqtares Shpresa Hasaj- Hyseni, se “a keni honger apo keni pirë diçka”, dëshmitari tha “normal, kemi pi, kemi honger, kapak është gjuajtur edhe me armë”.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga  Gjykata Supreme në shtator 2017, ata ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri,  Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

Eprori rrëfen momentin kur Policia u sulmua me top dore e kallashnikov