Gjykimi për vjedhje grabitqare, mungon e dëmtuara

Gyltekin Ramaj, i cili nga Prokuroria po akuzohet për vjedhje grabitqare është ulur sot në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Pejës.

I akuzuari Ramaj gjendet në masën e paraburgimit që 13 muaj.

Sot në seancë nuk ishin prezent e dëmtuara E. B., e as dëshmitari A. M.

Në këto rrethana gjykata do të lëshojë urdhëresë për sigurimin e prezencës se dëshmitarëve që nuk u përgjigjen ftesës së gjykatës.

“Gjykata ka urdhëruar policinë e Pejës që të sigurojnë prezencën e saj (E dëmtuara E. B.) për këtë seancë por gjykata ka marrë informatë që nuk ka qenë aty, dhe e dëmtuara është kërkuar edhe në adresën e saj të re”, tha kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova.

Prokurori Haxhi Sinanaj tha se nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance pa prezencën e të dëmtuarës si dëshmitare dhe dëshmitarit tjetër A. M., andaj nga këto arsye i propozoi gjykatës që të lëshojë urdhërarrest dhe në seancën e radhës të njëjtit të sillen në sallën e gjykimit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Gyltekin Ramaj, avokati Agim Shala, gjykatës i propozoj që ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet paraburgimi dhe t’i zëvendësohet me një masë tjetër si arresti shtëpiak apo paraqitja në polici.

“Sot është i 13 muaj që i mbrojturi im është në paraburgim e nuk besoj që në historinë e drejtësisë dikush ka qëndruar për një rast të tillë në paraburgim”, tha avokati Shala.

Gjykata e refuzoj këtë propozim duke lënë në fuqi vendimin për paraburgim.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 3 qershor 2021.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur më 4 maj të vitit të kaluar në qytetin e Pejës.

I akuzuari Gyltekin Ramaj akuzohet se ka pasur në posedim edhe një revole.

Sipas prokurorisë, e dëmtuara E. B. përderisa ishte duke u kthyer në banesën e vetë në dorën e majtë mbante kuletën me dokumente personale dhe shumën e të hollave prej 150 euro, ku i akuzuari ja merr kuletën dhe me shpejtësi largohet nga vendi i ngjarjes.

Dosja e prokurorisë sqaron se i akuzuari ndiqet prapa nga dëshmitarët E. K., D. Sh., E. D. dhe G. H., ku i akuzuari e merr revolen e repeton dhe drejton nga dëshmitarët, të cilët nga frika se mos pësojnë ndalen, ndërsa Ramaj largohet në drejtim të panjohur.