Gjykimi për tentimvrajsen e rojes së pyllit

I akuzuari Shkodran Baftiu, deklaroi se nuk e pranon fajësinë për akuzat që ia ngarkon Prokuroria.

“Ditën kritike rreth orës 10 paradite babi dhe vëllai im janë nisur për në mal me traktor, kurse pas pak minutash jam nisur edhe unë me një traktor tjetër. Dhe kur kam shkuar në vendin e ngjarjes, në mal kam takuar babain dhe vëllain pikërisht në vendin ku ka ndodh ngjarja, me vete kam pasur vetëm një sharrë motorike dhe një  palë zingjirë. Unë kam vazhduar për në një vend tjetër ku kanë qenë babai dhe vëllai im diku rreth 150 metra, pylli ku kam qenë duke pre dru unë ka qenë pronë shtetërore”, tha i akuzuari Shkodran Baftiu.

I akuzuari tutje deklaroi se nga ajo largësi që ishte e ka dëgjuar bisedën në mes vëllait dhe babait që sipas tij po e bënin me rojën e pyllit, tani të dëmtuarin Sadik Qerimi.

“Kur kam arritur në vendin e ngjarjes ku ka ndodh rasti i kam tërhequr drunjtë me traktor dhe jam nis në drejtim të shtëpisë. Kam ndalu në vendin ku ishin babai dhe vëllai im, jam ndalur dhe jemi përshëndetur me Sadikun. Në fillim kemi nisur një bisedë normale deri kur mi ka kërkuar paratë që i kam pasur borgj që e ka shitur malin shtetërorë. Marrëveshja me Sadikun ka qenë që për çdo rimorkio me dru ne t`ia japim nga 25€. Dhe kur mi ka kërkuar paratë nuk kam pasur t`ia jap, atë moment ai filloi të më fyej me fjalë të ndryshme. Unë ia ktheva dhe i thash se nuk të kam fjalë borgj, por të kam pare borgj dhe ai ka fillu me na fye me fjalë të ndyta. Dhe unë ia kam kthyer me fjalë të njëjta. Ai është ngritur në këmbë dhe e ka nxjerrë revolen, ma ka drejtuar mua dhe nuk ka zgjat shumë dhe arma ka shkrepur, por fatmirësisht nuk e ka goditur askënd. Jam afruar te ai disi dhe ja kam tërhequr armën, e kam goditur me pjesën e dorezës së revoles”, përfundoi i akuzuari Baftiu.

Avokatja e të akuzuarit Nexhmi Baftiu, Elvira Haziri pyeti të akuzuarin se çfarë tipi ka qenë arma e cila ka shkrepur. I njëjti deklaroi se arma ka qenë ngjyrë e zezë dhe nuk e din se çfarë tipi ka qenë e njëjta.

“Nuk i njoh armët pasi vetëm dy here në jetën time kam pasur armë ne dorë”, tha i akuzuari.

Për shkak të angazhimit të prokurorit të shtetit në një seancë të paraburgimit seanca e sotme u shty për muajin nëntor.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit Shkodran Baftiu, Nexhmi Baftiu dhe Skender Baftiu po akuzohen se në muajin shtator të vitit 2016, në hapësirën pyjore të fshatit Zhegovc, Komuna e Gjilanit, kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Sadik Qerimi-zyrtar (roje pylli) në APK Gjilan, lidhur me detyrën e tij zyrtare, dhe pas një mosmarrëveshje verbale në mes tyre e njëjta kalon në konflikt fizik ku nën kërcënimin e armës së zjarrit të cilën e ka përdorur i pandehuri Shkodran Baftiu dhe gjatë sulmit fizik me mjete të forta-drunj e kanë goditur në kokë e pjesë të tjera të trupit me rast i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore. Gjithashtu i akuzuari Shkodran Baftiu akuzohet edhe për armë mbajtje pa leje.