Nga një seancë e mëhershme ndaj Vehbi Brahës. Foto: Kallxo.com

Gjykimi për telefonat dhe gomat e ekskavatorit të ujësjellësit në Mitrovicë, dëshmon ish-kryeshefi

Ish-kryeshefi i ujësjellësit në Mitrovicë, Faruk Hajrizi, ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë rreth një rasti në të cilin një zyrtar i kësaj kompanie po akuzohet për blerje pa përfillur rregullat e prokurorimit.

Vehbi Braha akuzohet se si zyrtar i lartë financiar i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica ka tejkaluar kompetencat e tij

Sipas Prokurorisë, Braha në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në KRU në Mitrovicë, në gusht 2014 ka tejkaluar kompetencat e tij duke urdhëruar shefin e mekanizmit Ferki Behxhetin, vozitësin Fahredin Hotin dhe ekskavatoristin Nexhmedin Berisha për blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit në vlerë prej 1,784.00 euro në D.Z.T “Merovci” në fshatin Dobërlluk. Sipas akuzës, këtë ai e ka bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, sipas të cilit çdo punë, shërbim apo furnizim i cili tejkalon vlerën mbi 100 euro, duhet të kalojë përmes procedurave të prokurimit.

Kurse në pikën dy të aktakuzës thuhet se për Vehbi Brahën ekziston dyshimi i arsyeshëm se në korrik të vitit 2014 ka tejkaluar kompetencat e tij duke lidhur kontratë për shërbime të telefonisë mobile me IPKO-n, me ç’rast kishte bërë dorëzimin e 206 telefonave për zyrtarët e kësaj kompanie, pa kaluar në procedurën e prokurimit.

Hajrizi në seancë ka deklaruar se pa procedura të tenderimit ishin blerë goma të ekskavatorit dhe mjete tjera, si dhe ishte lidhur kontrata me kompaninë e telefonisë “IPKO”, ku ish-zyrtari financiar i kësaj kompanie, Vehbi Braha, po akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Braha në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në KRU në Mitrovicë, në gusht 2014 ka tejkaluar kompetencat e tij duke urdhëruar Ferki Behxhetin – shef i mekanizmit, Fahredin Hotin – vozitës dhe Nexhmedin Berishën – ekskavatorist, për blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit në vlerë prej 1.784,00 euro në D.Z.T “Merovci” në fshatin Dobërlluk.

Sipas akuzës, këtë ai e ka bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, sipas të cilit çdo punë, shërbim apo furnizim i cili tejkalon vlerën mbi 100 euro, duhet të kalojë përmes procedurave të prokurimit.

Më këtë Braha akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjatë dëshmisë së tij po ashtu Hajrizi, ka thënë se në kohën kur ishte në pozitën e kryeshefit ekzekutiv në kompaninë e Ujësjellësit, tani i akuzuari Braha, ka mbajtur pozitën e zyrtarit të lartë financiar, kurse blerja e gomave ishte bërë pa ndjekur procedurat ligjore të prokurimit, thuhet në procevrbalin e seancës të siguruar nga KALLXO.com.

Derisa lidhur me kontratën me kompaninë IPKO, dëshmitari ka deklaruar se punëtorët e KRU “Mitrovica” nuk kanë përdorur numra të IPKO-së dhe se nuk ka pasur kontratë me IPKO-në.

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarit, i pandehuri Braha i ka propozuar gjykatës që të ftohet edhe njëherë dëshmitari Driton Abazi, që të sqarojë rrethanat lidhur me fletë-kërkesën për blerjen e gomave, e cila ishte nënshkruar nga ai katër ditë më vonë.

Prokurori Njazi Rexha nuk ka pasur kundërshtime për këtë propozim, ndërsa ka propozuar që të ftohet edhe njëherë pronari i D.P.Z  “Merovci”, Visar Merovci, në mënyrë që të prezantojë të gjitha faturat në raport me blerjet që ishin bërë nga kompania e ujësjellësit.

Trupi gjykues me kryetar Bekim Veliqin ka aprovuar këto propozime, ndërsa ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet më 3 janar 2020.

Sipas akuzës vlera totale e telefonave që ishin dorëzuar më marrëveshjen e arritur për tre vite arrinte vlerën 6,102 euro. Me këtë veprim kishte kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Mirëpo në këtë seancë përfaqësuesi i IPKO-s, ka deklaruar se ata nuk e vlerësojnë se janë palë e dëmtuar dhe se nuk kishin kërkesë konkrete sa i përket dëmit material për këtë çështje.

Ndryshe, i pandehuri Braha është deklaruar se nuk ndihej fajtor për akuzën më të cilën ngarkohet nga Prokuroria, edhe në seancën e shqyrtimit fillestar e cila është mbajtur në janar të këtij viti në Gjykatën e Mitrovicës, raporton KALLXO.com.