Gjykimi për të akuzuarit për prerjen e drunjve, dëshmia e shefit të Autoritetit Pyjor në Kamenicë

Skënder Fetiu dhe Kamer Leci, sërish kanë dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila ata i ngarkon me dy vepra penale.

Fetiu po akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare, kurse Leci po akuzohet për veprën penale të veprimtarisë së kundërligjshme ekonomike.

Në seancën e sotme, u dëgjua dëshmitari Naim Arifi, i cili është drejtor i Autoritetit Pyjor në Komunën e Kamenicës. Ai tha se ka dhënë deklaratë në Polici dhe Prokurori dhe se mbetet pranë tyre.

“Nuk e di saktë se kur është lidhur kontrata për prerjen e pyllit mes operatorit ekonomik dhe Autoritetit Pyjor, por e di se afati i kryerjes së punës ka qenë 90 ditorë. Kontratën e ka bërë zyra e Prokurimit dhe detajet e sajë unë nuk i di, vetëm e di se drunjtë që janë prerë në atë vend disa nga ta edhe janë vjedhur, pastaj ka dalur roja e pyllit dhe ka hasur vetëm në një traktor aty dhe e kemi lajmëruar rastin në polici. Pastaj të njëjtin traktor e kanë ngjyrosur me tjetër ngjyrë vetëm për të humbur gjurmët”, tha dëshmitari Naim Arifi.

Tutje dëshmitari tha se përgjegjës për mos shkëputjen e kontratës ka qenë zyra e Prokurimit pasi edhe pse kanë kaluar 10 muaj nga përfundimi i saj ajo nuk është shkëputur. Ai gjithashtu tha se në zyrën e tij asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë për shkëputjen e kontratës me Operatorin Ekonomik dhe Autoritetit Pyjor të Kamenicës.

“Kamer Leci më ka thirrur në telefon dhe më ka treguar se është duke u prerë pylli, pastaj kemi dalur në terren dhe i kemi identifikuar ata që e kanë prerë pyllin në mënyrë të pa ligjshme. Roja i pyllit Skënder Fetiu, nuk e ka pasur për obligim qe të kujdeset për pyllin gjatë kohës sa Operatori Ekonomik e ka të fituar me tender një ngastër kadastrale pasi në kontratë thuhet se gjitha obligimet i kalojnë Operatorit prej lidhjes së kontratës e deri në shkëputjen e saj, kurse pas shkëputjes së kontratës obligimi kalon tek roja i pyllit”, tha tutje dëshmitari Arifi.

Për shkak të angazhimeve të anëtarit të trupit Gjykues Sahit Borovci, në një rast të paraburgimit, seanca u shty për 30 shtator 2021.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Skënder Fetiu, duke qenë person zyrtar-roje pylli në Kamenicë, po ashtu i autorizuar për dhënien e fletë përcjellësve për transportin e masës drusore dhe përcjelljen e punimeve të firmës “Mirvete Leci BI”, në Kamenicë, i akuzuari nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e pyjeve.

Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari me veprimet e tij iu ka mundësuar personave (deri më tani), të pa njohur që të marrin drunj në vlerë prej mbi 16,000 euro.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i akuzuari tjetër Kamer Leci, duke qenë i autorizuar nga kompania “Mirvete Leci BI”, për mbikëqyrjen e punimeve në fshatin Krilevë, i akuzuari pas njoftimit nga kompania e cekur se i ka ndërprerë punimet e më tejme, nuk ka vepruar në harmoni me udhëzimin administrativ me numër 06/2010, duke iu mundësuar personave të tjerë marrjen e masës drurore në shumën prej mbi 16,000 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK