Gjykimi për rrahjen në sallën e dasmës në Gjilan

Elsadat Ajeti, i akuzuar për rrahjen që kishte ndodhur në një dasmë në Gjilan ka dalë para gjykatës për t`u përballur me akuzat e Prokurorisë.

Ajeti në seancën e sotme u deklarua i pa fajshëm për aktakuzat e Prokurorisë së Gjilanit.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Elsadat Ajeti e ka sulmuar të dëmtuarin Bashkim Byqmeti. Sipas aktit akuzues Ajeti, në muajin korrik të vitit 2019, në Gjilan tek restorant “Parajsa”, pas një mosmarrëveshje verbale e ka goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit Bashkim Byqmetin.

Prokurori Shaban Spahiu pas leximit të aktakuzës tha se pas zhvillimit të hetimeve në këtë çështje penale, Prokuroria ka gjetur se Elsadat Ajeti ka kryer veprën penale të sulmit.

“Dyshimi është vërtetuar nga provat që janë në shkresat e lëndës, ku pas administrimit të tyre do të vërtetohet akuza se i njëjti e ka kryer këtë vepër penale”, tha në fillim Prokurori Spahiu.

Tutje në seancën u dëgjua i dëmtuari Bashkim Byqmeti, i cili tha se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale.

“Unë kam menduar se kjo çështje do të përfundoj por këta me sa po e shof po kan qef me zgjat, e nëse është ashtu edhe unë kam prova se jam i dëmtuar. Në momentin që kemi dalur nga restoranti Elsadati më ka goditur në fytyrë, por pastaj edhe unë ja kam kthyer me grushte por i pari më ka sulmu Elsadati”, tha i dëmtuari Byqmeti.

Në këtë proces gjyqësor u dëgjuan edhe 3 dëshmitarë të cilët ishin në vendin e ngjarjes kur kishte ndodhur rasti, e të cilët e treguan versionin e tyre të ngjarjes ku para një salle dasmash (Në dasmë), në Gjilan ishte përdorur edhe spreji i syve.

Prokurori Shaban Spahiu kërkoj nga Gjykata dënimin e të akuzuarit, kurse i akuzuari kërkoj lirimin nga akuza pasi që konsideronte që nuk e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Në këtë çështje ishin të akuzuar edhe Fatlind Byqmeti, Meriton Byqmeti, Bashkim Byqmeti dhe Fatmir Byqmeti, por që ata e kishin pranuar fajësinë dhe ishin dënuar nga Gjykata.