Foto: Kallxo.com

Gjykimi për pronën e “Infrakos”-it: Ish-drejtori i Ramadan Mujës kërkon t’i lexohet aktakuza dy herë

Shtatë të akuzuar, ish-zyrtarë të komuns së Prizrenit dhe zyrtarë të ndërmarrjes publike “Infrakos”, kanë dalë para gjykatës në Prizren për t’u përgjigjur në akuzat e Prokurorisë rreth

Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, që të gjithë të dyshuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sadik Paçarizi, Njazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqi, Agron Thaqi dhe Naim Avdyli po ngarkohen me akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit me veprime të ndryshme i kanë shkaktuar dëm në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” në vlerë prej 104,674.61 euro.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Genc Nixha, të akuzuarit u deklaruan se e kuptojnë akuzën, ndërsa i akuzuari Njazi Kryeziu, i cili nuk e kuptonte akuzën e Prokurorisë, ai e kishte të nevojshme që aktakuza t’i lexohet dy herë.

Seanca e radhës u caktua me datën 27 mars kur të akuzuarit pritet të deklarohen lidhur me provat dhe fajësinë dhe deri atëherë të pajisjen me të gjitha shkresat e lëndës.

Nga shtatë të akuzuarit katër të akuzuar janë ish drejtorë të Komunës në kohën kur Prizreni udhëhiqej nga PDK me kryetar Ramadan Mujën, ndërsa një inspektor komunal Bashkim Krasniqi, kryeshefi i Infrakosit Agron Thaqi, i zgjedhur në janar të vitit 2012, dhe menaxheri i patundshmërive  dhe bashkëpunëtor profesional, Naim Avdyli, janë të akuzuarit tjerë nga Prokuroria e Prizrenit.

Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, Njazi Kryeziu, ish drejtor i Urbanizmit; Visar Islamaj, ish drejtor i Urbanizmit në Prizren dhe Bujar Nerjovaj ish drejtor i Inspektoratit në Prizren, janë ish drejtorët që po akuzohen nga Prokuroria e Prizrenit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit Sadik Paqarizi, Njazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017 në Prizren, duke punuar si persona zyrtarë në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër në rastin konkret pronarëve të objekteve të ndërtuara, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” me seli në Fushë Kosovë.

Sipas Prokurorisë, tre drejtorët kanë shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit si dhe kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit, gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Aktakuza e ngarkon edhe Inspektorin Komunal Bashkim Krasniqi, për periudhën kohore të vitit 2012 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit,  duke bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Agron Thaqi, gjatë vitit 2013 në Fushë Kosovë, duke qenë Kryeshef në “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës dyshohet se i kishte shkaktuar dëm “Infrakos”-it pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e Komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari i fundit  Naim Avdyli, sipas Prokurorisë gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si si Menaxher i patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional në “Infrakos”, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke shkaktuar dëm “Infrakos”-it edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

I akuzuari Naim Avdyli, pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit, e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Anulohet vendimi i Gjykatës së Prizrenit, rasti i Zëvendës Ministrit kthehet në rigjykim

Për Sadik Paçarizin, Njazi Kryeziun dhe Bujar Nerjovajn nuk është hera e parë që po përballen me akuzat e Prokurorisë për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sadik Paçarizi është i bashkëakuzuar me ish kryetarin e Prizrenit Ramadan Muja në një proces të gjatë gjyqësor që nga viti 2014.

Njazi Kryeziu është shpallur i pafajshëm si një ndër të akuzuarit në rastin e shumëpërfolur “Pronto”, ndërsa është i akuzuar edhe për lidhjen e kontratave pa tender, e rasti në Gjykatën e Prizrenit është në fazën fillestare.

Bujar Nerjovaj në qershor të vitit 2019 ishte shpuar fajtor nga Gjykata e Prizreni dhe ishte dënuar me burgim me kusht, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por rastin e tij Gjykata e Apelit e kthyer në rigjykim.