Gjykimi për mashtrim me viza, dëshmitari: Shuma prej 500 euro nuk më është kthyer asnjëherë

Në gjykimin e M. Z. (ish-deputet i Kuvendit të Kosovës), dhe dy të akuzuarve të tjerë I. K. dhe E. K., në rastin e mashtrimit me viza pune gjermane, kanë dhënë dëshminë e tyre Shkëlqim Kajtazaj dhe Nora Vizdik – Thaqi.

Dëshmitari Shkëlqim Kajtazaj, i cili tha se është palë e dëmtuar, në pyetjet e prokurorit Atdhe Dema ka deklaruar se  kishte aplikuar për vizë pune në Gjermani dhe se për të njëjtën kishte paguar shumën prej 500 euro.

Tutje i njëjti ka treguar se në emisionin “Pa rrotulla”, të cilin e kishte udhëhequr M.Z, ku kishte qenë i ftuar i akuzuari I.K., ishte njoftuar për mënyrën e sigurimit të vizave dhe kontratave të punës në Gjermani.

Më pas dëshmitari ka thënë se ai me disa kolegë të tjerë kishin shkuar në zyrën në lagjen “Pejton”, në Prishtinë dhe se fillimisht kishte marrë vetëm informacione në lidhje me mënyrën e aplikimit.

Dëshmitari ka treguar se në prezencën e të akuzuarve M.Z. dhe I.K. kishte nënshkruar një dokument të parapagesës në vlerë prej 500 euro.

“Kontratën e kam nënshkruar me një kompani në Gjermani ‘Garden Bau’, në kontratë figuron emri i bashkëshortes së I.K. dhe lidhja e kësaj kontrate ka qenë kusht për aplikim me vizë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Shkëlqim Kajtazaj më pas tregoi  edhe pse kishte paguar 500 euro asnjëherë  nuk ishte pajisur me vizë gjermane dhe se këto të holla nuk iu kishin kthyer asnjëherë.

Ndërkaq i njëjti ka deklaruar se në ditën kur kishte paguar shumën prej 500 euro ishte pajisur me një dokument që shkruante se nëse nuk sigurohet marrja e vizës paratë do të ktheheshin dhe në rastet kur nuk kthehen kompetente është Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kurse pas shumë përpjekjeve që kishte bërë  dëshmitari ka treguar se Policia e kishte informuar se rasti është duke u zhvilluar në gjykatë. Tutje, ai shtoi se më pas i kishte parë lajmin se po zhvillohet procesi gjyqësor dhe ishte paraqitur vetë në gjykatë si i dëmtuar, pasi nuk kishte pranuar asnjë ftesë nga Gjykata.

Ndërsa kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili se a kërkon kompensim të dëmit, i njëjti deklaroi se kërkon t’i kthehet vetëm shuma të cilën kishte paguar për t’u pajisur me vizë prej 500 euro.

Por kur i erdhi radha të akuzuarit M.Z. t’i parashtrojë pyetje dëshmitarit Kajtazaj, mbrojtësi i të akuzuarit I.K., avokati Ramiz Krasniqi, i është drejtuar M.Z-së: “Unë nuk kisha mujt 900 e kusur veta m’i mashtru”.

Pas kësaj dëshmi ka dhënë Nora Vizdik-Thaqi, e cila deklaroi se ishte punonjëse në kompaninë e shitblerjes së banesave “ENK&CO”, me pronar të akuzuarin E.K.

Dëshmitarja ka treguar se në vitin 2017 kishte qenë udhëheqëse e kësaj kompanie dhe se kishte qenë në dijeni se i akuzuari M.Z. kishte blerë tri banesa nga kompania “ENK &CO”.

Por, sipas saj, në vitin 2016 dy  banesa ishin kthyer nga M.Z. dhe vetëm njërën ishte mbajtur dhe me ndarje fizike në vitin 2017 ato dy banesat që i kishte dorëzuar i akuzuari M.Z. i kishte marrë kompania “Nartel”.

Sipas dëshmitares gjithsej vlera e këtyre banesave kishte qenë rreth 159 mijë euro, dhe sipas  saj pagesa ishte bërë nga i akuzuari M.Z. në xhirollogarinë bankare të kompanisë “ENK&CO”.

Tutje e njëjta ka deklaruar se stafi ku ajo punonte për rreth dy muaj nuk ishin paguar nga kompania dhe më pas ka treguar se i akuzuari E.K., i cili ishte drejtor, kishte marrë hua një shumë të të hollave të akuzuarit M.Z. për pagesë të punëtorëve.

“Për shkak se nuk na kanë dalë pagat rreth dy muaj, kam dëgjuar se E.K. ka me i huazua një shumë të hollash nga M.Z. për pagat tona. Kjo është diskutuar nga i gjithë stafi, e kemi diskutuar ne vet stafi se E.K. do të na paguajë pagat sa t’i merr paratë huazim nga M.Z. dhe ashtu ka ndodhur”, tha dëshmitarja.

Ndërsa prokurori special Atdhe Dema e pyeti dëshmitaren se nga e kishin kuptuar se kompania paska mbetur të marrë hua nga M.Z., e këtij iu drejtua me fjalët : “Shumë t’paskan munu ty”.

Për këtë pati  kundërshtime në pyetje dhe reagime nga mbrojtësi i të akuzuarit M.Z., avokati Florent Latifaj, ku shtoi se  komentet e prokurorit  janë poshtëruese dhe po ndikojnë në përgjigjen e dëshmitares.

Por kjo pyetje është lejuar nga trupi gjykues, ku më pas dëshmitarja Thaqi deklaroi se asnjëherë nuk kishin pasur vonesa për paga deri në atë kohe duke treguar se mes stafit ku ajo punonte kishte diskutuar për punën e pagave për kohën se kur do i marrin.

Prokuroria e akuzon ish-deputetin dhe dy të akuzuarit e tjerë për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimet dhe pastrim të parave.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M. Z. dhe I. K., që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin themeluar biznesin si agjenci punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga Prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.