Gjykimi për krime lufte, shikohet video-incizimi i Prokurorisë për masakrën e Izbicës

Në gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur gjykimi kundër Muhamet Alidemaj, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në vitin 1999.

Në fjalën hyrëse prokurori i Prokurorisë Speciale kërkoi nga Gjykata që në sallë të lëshohet një video-incizim në të cilin shfaqen pamje nga masakra e kryer në Izbicë.

“Sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi për viktimat e vrara në fshatin Izbicë, komuna e Skenderajt gjatë vitit 1999 e njohur si ‘Masakra e Izbicës’ meqenëse kanë kaluar më shumë se 20 vite nga dita e ngjarjes ju ftoj që të shohim një video të shkurtë…, Nga ky prezantim i shkurtër keni mundur të kuptoni se më datë 28 mars 1999 në fshatin Izbicë u kryen vrasje masive të popullsisë civile që të gjithë të nacionalitetit shqiptar nga ana e ushtrisë serbe dhe policisë serbe ku bënte pjesë edhe i pandehuri”- tha në fjalën hyrëse prokurori Ilir Morina.

Tutje prokurori tha që do të dëshmohet se Alidemaj ishte pjesë e kësaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale si dhe si pjesëtar i saj mori pjesë në ekzekutimin e planit.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Alidemaj në fjalën hyrëse thanë se dy fakte (njëra për ndërrim të emrit të të akuzuarit dhe tjetra se i njëjti e kishte lëshuar Kosovën pas luftës) të paraqitura nga prokuroria janë jo të sakta.

Mbrojtja tha që pas dëgjimit të shumë dëshmitarëve të propozuar do të vërtetohet fakti se kur  i akuzuari e ka lëshuar Kosovën dhe se gjatë administrimit të provave do të vërtetohet si Alidemaj nuk ka qenë në fshatin Izbicë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti sipas aktakuzës më 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t`u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh. O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1000 marka gjermane e më pas i vë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcenim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t`i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

E ku më pas tek dera e shtëpisë të dëmtuarën i pandehuri e kishte goditur më shuplakë.

Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkoi tek livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12 vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.

Sipas dosjes së Prokurorisë burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civil.

Tutje dosja e Prokurorisë tregon se dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjetën në varrezat masive të Batajnicës, në serbi.