I dënuari Darko Tasiq në Gjykatën e Prizrenit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për krime lufte në Krushë të Vogël mbetet pezull në pritje të dëshmisë nga gazetari britanik

Kanë kaluar 7 muaj që nga prilli i vitit  2019, që kur Gjykata e Prizrenit nëpërmjet  Ministrisë së Drejtësisë është duke tentuar të sigurojë kushte për të dëgjuar gazetarin britanik John Sweeney në gjykimin ndaj të akuzuarit Darko Tasiq.

Tasiq nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po gjykohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjykimi për krime lufte, dëshmitari rrëfen si dëgjoi britmat e viktimave në kamionin e djegur

Prokurorja speciale Drita Hajdari si provë të këtij rasti kishte të propozuar dokumentarin “Serb genocide against albanians” (Gjenocidi serb kundër shqiptarëve) të gazetarit britanik, John Sweeney.

Dëshmitë për krimet në Krushë të Vogël, përloten të pranishmit në Gjykatë

Pos kësaj, prokurorja Drita Hajdari kishte propozuar që ky gazetar të dëgjohet edhe si dëshmitar, eventualisht të ftohet në Gjykatë ose të bëhet dëgjimi i tij si dëshmitar përmes video-lidhjes.

Gjykimi për masakrën në Krushë të Vogël, Ministria e Drejtësisë nuk i përgjigjet Gjykatës

Por dëgjimi i këtij dëshmitari po del të jetë sfidë për prokuroren e rastit Drita Hajdari, e cila tha se i kanë përmbushur të gjitha obligimet dhe kërkesat që i kanë kërkuar autoritetet britanike për dëshmitarin John Sweeney.

Përkundër kësaj, prokurorja Drita Hajdari tha se autoritet britanike kanë kërkuar një afat kohor prej 8 javë për organizimin lidhur me dëgjimin e dëshmitarit Sweeney.

Dëshmia e gazetarit britanik për mbrojtësin e të akuzuarit, avokatin Dejan Vasiq, në thelb nuk është e rëndësishme, sepse dokumentari i gazetarit është paraqitur para trupit gjykues. Po ashtu, sipas avokatit Vasiq, gazetari Sweeney kishte dhënë deklaratë nën betim edhe para Tribunalit të Hagës, e për këtë “nuk ka arsye tjera të posaçme që i njëjti të dëgjohet si dëshmitar para trupit gjykues”.

“E respektoj mundin e prokurorisë që të dëgjohet dëshmitari i propozuar, por edhe një herë e ftoj prokuroren që nëse nuk është e mundshme që të sigurohet dëgjimi i këtij dëshmitari, që edhe një herë prokurorja ta mendojë propozimin e saj për dëgjimin e dëshmitarit”, tha avokati Vasiq duke shtuar se duhet pasur parasysh edhe obligimin që kanë për trajtim urgjent të lëndës, pasi që i akuzuari Darko Tasiq gjendet në masën e paraburgimit.

Datat 15 dhe 16 janar si dhe 6 dhe 7 shkurt të vitit 2020 janë caktuar për seancat e ardhshme, për të cilat data prokurorja Drita Hajdari do t’i njoftojë autoritet britanike që të sigurohet organizimi dhe të dëgjohet dëshmitari John Sweeney.

Pas dëgjimit të dëshmitarit John Sweeney, mbetet që i akuzuari Darko Tasiq, të japë mbrojtjen e tij para Gjykatës.

KALLXO.com ka monitoruar dhe ka sjellë raporte të rregullta nga të gjitha seancat e këtij gjykimi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq, ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël, të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryerës të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.