Remzi Shala | Foto: Drejtësia në Kosovë
Gjykimi për krime lufte ndaj komandant ‘Molla e Kuqe’, dështon seanca
Seanca gjyqësore ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala – ‘Molla e Kuqe’, i cili akuzohet për krime lufte ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Prizrenit.
I njëjti, ishte i pranishëm në gjykim, mirëpo theksoi se nuk ishte në gjendje që ta përcjellë gjykimin ngase shkaku i problemeve shëndetësore nuk mund të qëndronte i ulur në sallë.
Lidhur me këtë, duke e parë gjendjen e rënduar të të akuzuarit, përfaqësuesi i prokurorisë Speciale Haki Gecaj, i propozoi gjykatës që seancat e parapara për muajin dhjetor të shtyheshin për në janar 2022.
Ndërkaq, për përfaqësuesin e palës së dëmtuar Asdren Hoxha, shtyrja e seancave pa ndonjë raport mjekësor nuk kishte arsyetim.
“Në sallë mungon edhe mbrojtësi i të akuzuarit me të cilën është krijuar rrethana për mos mbajtjen e seancës. Kurse, pa dashur të paragjykojë, por për të akuzuarin ju nuk keni raport mjekësor për anulimin e seancave gjatë këtij muaji. Andaj, propozoj që pas marrjes së raportit mjekësor të vendoset rreth anulimit”, deklaroi avokati Hoxha.
Pas dhënies së pauzës, në sallë u sigurua raporti i lëshuar nga Njësia e Qendrës së Paraburgimit i përpiluar me datë 17 dhjetor 2021.
Mirëpo këtë raport e kundërshtoi avokati Asdren Hoxha, pasi sipas tij në të përshkruhej historiku i trajtimit të të akuzuarit dhe nuk përfshihej ndonjë mendim profesional se i njëjti nuk ishte i gatshëm të vijonte në seancat e radhës.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi mori vendim që nga Spitali Rajonal i Prizrenit të jepej mendimi se a është në gjendje i akuzuari Remzi Shala të qëndrojë në sallë dhe të përcjellë gjykimin.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë ish – pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.
Më 26 qershor 1998, rreth orës 23:00, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.
“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar, me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në diapozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
Lidhur me këtë rast, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.
Kurse, disa muaj më vonë, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga shkalla e dytë i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.
Arsyet që e kanë shtyrë kolegjin e Apelit që të zbutë dënimin ishte fakti se i akuzuari Remzi Shala ishte akuzuar dhe shpallur fajtor për marrjen peng të viktimës Haxhi Përteshi, por jo për vrasjen e tij.
Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë në Prizren për rigjykim dhe rivendosje.
Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com për këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK