Foto: Kallxo.com

Gjykimi për krime lufte: Dëshmitarja flet për vrasjen e burrit dhe kunatit në Pejë në mars 1999

Në gjykimin ndaj Zoran Gjukiqit, i akuzuar për krime lufte në lagjen ‘Kristal’ të Pejës, u dëgjua dëshmitarja Mihrije Zeqiraj.

Ajo në cilësinë e dëshmitares për gjykatës rrëfeu se çfarë kishte ndodhur ditën e 29 marsit të vitit 1999 në këtë lagje.

“Më datën 29 mars të vitit 1999 kemi qenë në shtëpi me burrin Skenderin, fëmijët, kunatin Hilmiun bashkë me Lumturien dhe komshiun Shabanin me grua dhe fëmijë. Ne kemi shkuar në bodrum për t’u fshehur sepse dëgjuam krisma në lagje”, tha ajo.

“Në bodrum kemi qëndru afër 2 orë dhe kemi dëgju një krismë pastaj është dëgju dera e shtëpisë dhe ka hyrë dikush në oborr duke thënë ‘dilni të gjithë se e dimë që jeni bodrum, dilni se do t’ju kallim të gjallë’. Unë kam dalë e para dhe kam parë 3 ushtarë në kokë nuk më kujtohet a kanë pasur shamia apo kapele”, tha dëshmitarja Zeqiraj.

“Neve na kanë qit jashtë ndërsa Shaban Kaliqanin e kanë ndalë në korridor ndërsa neve na kanë rreshtu te dera e oborrit dhe kanë gjujt në drejtim tonin me automat, pastaj e kanë thirrë kunatin Hilmiun për të hyrë brenda në shtëpi pastaj e kanë thirrë edhe burrin tim Skenderin, dhe neve na kanë qitë në rrugë afër shtëpisë së Valbonës. Edhe jashtë ka pasë shumë policë, pastaj ka dalë burri im nga shtëpia në rrugë te ne dhe mi ka lypë 1 mijë marka (gjermane)”, tha ajo.

Zeqiraj tha se më nuk e kishte parë burrin e saj “sepse ushtria na kanë shty me forcë duke na thënë largohuni nga këtu”.

“Kur kemi shkuar në shtëpinë  e Asllan Mulës, kemi parë ushtarë dhe na kanë thënë vazhdoni rrugën. Pas 20-30 metra e kam parë burrin tim se është duke ardhur me Shabanin. Ata erdhën deri të shtëpia e Asllanit e pastaj më si kam parë”, tha dëshmitarja Zeqiraj.

“Pastaj ne kemi vazhduar rrugën për në shtëpinë e babës së Shabanit ku kemi qëndruar një natë, të nesërmen në mëngjes kemi shkuar në Rozhajë, e pastaj në Ulqin”, deklaroi ajo.

Mihrije Zeqiraj tha se më nuk kishte dëgjuar asnjë fjalë për burrin dhe kunatin e saj derisa ishte kthyer nga Ulqini pas përfundimit të luftës dhe e kishte kuptuar se ata ishin vrarë.

“Kur ka ardhë Mërgimi, kunati im nga Amerika, na ka treguar se Skenderi dhe Hilmiu janë vrarë”, tha ajo.

“Në popull është përmendur emri i Zoranit (si kryes i vrasjeve), por mua direkt nuk më ka thënë askush”, tha ajo.

Gjykimi ndaj Zoran Gjukiqit, i cili ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjet e 29 marsit 1999, ka filluar sot në Prishtinë.

Prokurorja e rastit Habibe Salihu, tha se gjatë këtij shqyrtimi do të vërtetohet se i akuzuari Zoran Gjukiq “ka kryer krimet në lagjen Kristal”.

“Kjo do të provohet me anë të dëshmitarëve”, tha ajo duke përmendur emrat e një numri të dëshmitarëve të cilët pritet të dëgjohen gjatë këtij procesi gjyqësor.

“Provat materiale si kopja e listës e datës 2.6.1999 e lëshuar nga MPB në Pejë nga e cila vërtetohet se janë 289 rezerviste serbë dhe nga kjo listë vërtetohet se i akuzuari ka qenë i angazhuar edhe me datën 21.04.1999, fotografitë nga KMDNJ të policit të uniformuar në mesin e të cilëve është edhe Zoran Gjukiq”, tha Prokurorja.

Ajo hodhi poshtë albinë e mbrojtjes së Gjukiqit me të cilën pretendohej se personi me emrin Zoran Gjukiq që kishte marrë pjesë në këto krime, tashmë ka vdekur.

Prokuroria pretendon se ka siguruar prova që personi me emër e mbiemër të njëjtë ka vdekur në gusht të vitit 1989, 10 vjet para ngjarjeve tragjike në Pejë.

‘Si dëshmitar Florim Mamaj do të dëshmojë në lidhje me babain e tij Riza Mamaj në ditën kur është vrarë”, tha prokurorja Habibe Salihu.

Poashtu edhe përfaqësuesi i palëve të dëmtuara të familjeve Zeqiraj dhe Berisha, avokati Kujtim Kërveshi, deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën hyrëse të prokurores së rastit Habibe Salihut.

Ndërsa avokati Ljubomir Pantovic, mbrojtës Zoran Gjukiqit, në fjalën hyrëse deklaroi se nuk e kundërshton faktin se me 29 mars 1999 janë kryer krime në lagjen Kristal “por ne do ta vërtetojmë se Zoran Gjukiq nuk ka marrë pjesë në këto krime”.

‘’Aktakuza nuk është e pranueshme sepse nuk është e bazuar nga prova të pabesueshme, dëshmitarët e prokurorisë nuk kanë dijeni direkte kundër Zoran Gjukiqit, identifikimi në fotografinë pas 20 viteve është dëshmi problematike. Për të gjitha së bashku, mbrojtja konsideron se trupi gjykues do të bindet se nuk ka prova përtej dyshimit të bazuar që mund ta vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit. Prokuroria nuk mund të vërtetojë se Zoran Gjukiqi është fajtor për veprat që akuzohet”, tha avokati Ljubomir Pantovic.

Ai u ankua se Prokuroria në aktakuzë nuk ka propozuar që si dëshmitarë të thirren edhe personat që dëshmojnë në favor të Zoran Gjukiqit.

Zoran Gjukiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psikikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

Sipas prokurorisë, Zoran Gjukiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.