Gjykimi për krime lufte, dëshmitari rrëfen momentin kur forcat serbe ishin futur në fshatin Izbicë

Islam Dani, është rrëfyer sot në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë viteve 1998-99, Muhamet Alidemaj.

Dëshmitari Dani pohoi të këtë parë momentin kur forcat serbe kanë hyrë në fshatin Izbicë dhe sipas tij kjo kishte ndodhur më 28 mars 1999.

“Po kjo ka ndodhur më 28 mars 1999”- tha Dani para gjykatës.

Tutje dëshmitari tregoi që atë natë kishin marrë informatë që forcat serbe do të hyjnë në fshat, ku më pas dëshmitari me shokë ishin pozicionuar në afërsi të malit duke vëzhguar situatën.

“Në atë natë kemi qenë në Izbicë edhe kemi qenë rat me qita dy që i përmenda, kurse pjesëtarët tjerë të ushtrisë kanë qenë të shpërndarë nëpër shtëpitë e tjera të fshatit”, tha ai.

Tutje Dani tregoi se: “Rreth orës 4 te mëngjesit u ardh baba i Fadilit (bashkëluftëtarit) na ka çu prej gjumi, na ka thanë çohuni se po flitet që dojnë me na hi forcat serbe në fshat…, edhe aty jena stacionuar diku 10-15 minuta qaty në kodër edhe u kanë mali përafërsisht jemi ndal nuk ka kaluar edhe shumë kohë edhe ja kanë fillu granatimet…, granatimet kanë filluar dikund ka në ora 5  edhe kanë zgjatë bukur shumë”- tha dëshmitari.

Dani pohoi që të ketë parë tashmë të akuzuarin në një grup të personave të uniformuar dhe secili veç e veç ishte i armatosur të cilët kishin pranuar një komandë në radiolidhje duke thënë hajdeni poshtë në drejtim të fshatit Izbicë.

“Tash kur i kem ni na t`u fol, jon ardh në drejtim tonin dhe në një distance prej 30-35 metra i kemi dëgjuar duke folur edhe jon ndal i kem pa që kanë fol me radiolidhje, edhe qitu i kom kuptuar që kanë thanë hajdeni poshtë…, jon kanë me unifroma të paramilitarëve, me ngjyrë të kaltër dhe të hirtë, me sa i kom pa unë uniformat jon kanë të policisë, dhe ju kom kthy ka shokët e mi dhe ju kom thanë, koka i biri i Zhutit (Haxhisë) se baba i Muhametit e ka emrin Haxhi”- ishte deklarata e dëshmitarit

E për këtë Islam Dani tha që është 2 milion përqind i sigurt që Muhameti ishte pjesë e atij grupi të armatosur.

“Dy milionë për qind jom kanë i sigurt që ka qenë ai”- tha dëshmitari.

Me të parë këtë grup personash që kanë shkuar në drejtim të fshatit Izbicë në më pak së një orë dëshmitari tregoi që kanë dëgjuar britma familjare e krisma pushkatimesh.

E pas tërheqjes së forcave serbe nga fshati, dëshmitari së bashku me dy bashkëluftëtarë të tjerë kishin shkuar në vendin e ngjarjes ku mes të vrarëve kishte pasur edhe gra e fëmijë.

Dëshmitari tha që e ka ndjerë obligim që ta paraqes rastin në polici dhe nuk është aspak pishman.

“Pasha zotin obligim e nij jo për këtë po kushdo qoftë një njeri që ka bërë këso krimesh e paraqes në polici dhe nuk jom pishman”- tha në fund dëshmitari.

Seanca e radhës për këtë rast është paraparë të mbahet më 10 dhe 14 shkurt të vitit 2023.

Gjykimi për krime lufte, shikohet video-incizimi i Prokurorisë për masakrën e Izbicës

Sipas aktakuzës së prokurorisë speciale i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës

I njëjti sipas aktakuzës me 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për tu nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës XH.O ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1000 marka gjermane e më pas i vë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcenim të armës të njëjtën e kanë detyruar që ti prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së sajë.

E ku më pas tek dera e shtëpisë të dëmtuarën i pandehuri e kishte goditur më shuplakë,

Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë tek livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12 vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.

Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civil.

Dy muaj pas këtij  veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamion në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjendën në varrezat masive të Batajnicës, në serbi.