Gjykimi për keqpërdorim të subvencioneve, Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës mbrohet në heshtje

Në seancën e sotme të gjykimit të ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për subvencionet e shpërndara në Gjakovë, kanë dhënë mbrojtjen dy nga të akuzuarit.

Pal Lekaj për kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e bashkë me të për keqpërdorim pozite po akuzohet Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

I akuzuari Gani Rama tregoi se si zyrtar i Financave ka kryer të gjitha detyrat financiare me përjashtim të vendimarrjeve, që do të thotë në mbledhje të bordit të drejtorëve, mosraportimi në Asamblenë Komunale dhe mospërcjellja e përfaqësimit të financave, duke qenë se këtë, sipas tij, e bën drejtori për Buxhet dhe Financa.

Gjatë marrjes në pyetje kishte tensione e replika mes palëve në procedurë.

Prokurori u kundërshtua disa herë nga mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrec Dodaj, i cili e këshilloi klientin e tij që të mos përgjigjet në pyetjet e prokurorit.

Prokuroria Speciale po akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve.

Ai tha se ka qenë i autorizuar t’i nënshkruajë të gjitha urdhërpagesat edhe si zyrtar administrativ, mirëpo kjo e drejtë iu ka mohuar sepse prej 17 lëndëve vetëm 2 prej atyre urdhërpagesave i ka nënshkruar ai si zyrtar financiar, ndërsa të tjerat në cilësinë e zyrtarit administrativ.

Ndërsa, sa i përket alokimit të mjeteve financiare dhe aprovimin e pagesave, i akuzuari Gani Rama tha se ai nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Para se të bëhet ndarja e mjeteve, ekziston një kërkesë zyrtare që bëhet për ndarjen e mjeteve nga drejtori i Drejtorisë, e aprovon drejtori për Buxhet dhe Financa e për të cilin dokument ish-prokurori Faik Halilaj këtë dokument nuk e ka kërkuar, të cilin dokument e përmbush zyrtari administrativ, e të cilën detyrë ndonjëherë e kam kryer unë dhe më pas bëhet pjesa e ekzekutimit të pagesës”, deklaroi Gani Rama.

Ai theksoi se nuk e ka lejuar alokimin e mjeteve me arsyetimin se nuk kishte të drejtë dhe se këtë të drejtë e kishte zyrtari certifikues Afrim Parashumti, ndërsa ndarjen e mjeteve zyrtarja Shyqyrije Nuqi.

Rama tha se në periudhën 2008 ka qenë shef për Buxhet dhe Financa, përfshirë regjistrimin e pagesave, të hyrat, barazimet mujore e vjetore, përgatitja e raporteve financiare mujore e vjetore, menaxhimi me zyrën e financave, emërimi i zyrtarëve të financave në bashkëpunim me kryetarin e Komunës.

Sipas Ramës, kërkesën për subvencione e bën drejtori i Bujqësisë në bordin e drejtorëve, pastaj ajo kërkesë aprovohet ose jo nga bordi dhe më pas bëhet kërkesa për ndarjen e mjeteve në zyrën e financave, kërkesë kjo e cila lëshohet nga kryetari i Komunës.

Sipas tij, për shpërndarjen e subvencioneve ekzistojnë dy dokumente, kërkesa e Drejtorisë së Bujqësisëë dhe vendimi i kryetarit të bordit të drejtorëve për lejimin e këtyre subvencioneve.

Ai tha se nuk ka aprovuar dhe as nuk ka lëshuar asnjë pagesë, sepse nuk ka pasur urdhër apo vendim për alokim të mjeteve dhe se asnjë pagesë nuk bëhet pa kërkesën e drejtorisë përkatëse.

I akuzuari Rama tregoi se subvencionet janë të liruara nga procedura e prokurorimit.

Gjatë marrjes në pyetje kishte tensione e replika mes palëve në procedurë, ku prokurori i shtetit u kundërshtua disa herë nga mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrec Dodaj, i cili e këshilloi klientin e tij që mos t’i përgjigjet në pyetje prokurorit.

Më pas, mbrojtjen para gjykatës e filloi ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i cili u pyet nga avokati i tij Arianit Koci, se a i ka deleguar ndonjë kompetencë të bashkakuzuarit të tij Gani Ramës në kohën sa kanë qenë në Komunë.

Ndërsa, Lekaj u përgjigj duke thënë se ai nuk ka pasur të drejtë të delegojë kompetenca përveç atyre që kanë qenë të lejuara me ligj.

Pas kësaj përgjigjeje, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci deklaroi se klienti i tij tashmë do të mbrohet në heshtje.

Mirëpo, avokati Ndrec Dodaj pati vërejtje pranë trupit gjykues për shkak se i akuzuari Pal Lekaj në fillim ka thënë që do të deklarohet në mbrojtjen e tij dhe se nuk duhet t’i mohohet e drejta që t’i parashtrohen pyetjet. Ndërsa, trupi gjykues me aktvendim i lejoi palët që t’i parashtrojnë pyetje të akuzuarit Lekaj.

Por, ish-kryetari i Komunës së Gjakovës tha se “me rekomandimin e avokatit, nuk do të përgjigjem në pyetje të tjera dhe se do të mbrohem në heshtje”.

Ky gjykim, pritet të vazhdojë edhe nesër me mbrojtjen e dy të akuzuarve të tjerë, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga.

Dy seanca kohëve të fundit ishin shtyrë.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione përmes kompanisë “UNION-VL” në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa, i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione dhe shmangies nga tatimi.

Prokuroria Speciale e akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve”.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat e përcaktuara.

Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro, thuhet në aktakuzë.

Në këtë rast, ish-kryetari i Komunës se Gjakovës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrë Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikmëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezantuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Ky rast është i shënjestruar për liberalizim të vizave.