Gjykimi për katër thasët me marihuanë

Albert Memia dhe Armand Muçaj nga Shqipëria, të akuzuar për katër thasë të mbushura me marihuanë në peshë prej 29 kg e 317 gr, se në bashkëkryerje kanë transportuar nga Shqipëria në Kosovë, sërish dolën para gjykatës për të dhënë fjalën e tyre përfundimtare.

Ata akuzohen se në gusht të vitit 2019, nga Shqipëria në Kosovë kanë transportuar katër thasë marihuanë.

Armand Muçaj, ishte deklaruar i fajshëm ndaj akuzës së Prokurorisë, mirëpo Gjykata kishte refuzuar pranimin e fajësisë, ndërsa Albert Memia ish-zyrtar policor në Shqipëri nuk kishte pranuar akuzën që i ngarkohet.

Fillimisht para gjykatësit Mentor Bajraktari, prokurori Ramiz Buzhala, i propozoi Gjykatës që ndaj të akuzuarve t’i merr parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese, ashtu që ndaj të njëjtëve t’i shqiptoj atë lloj dhe lartësi të dënimit në proporcion me peshën e veprës penale të kryer.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Albert Memia, avokati Gëzim Kollçaku tha se pretendimet dhe provat e Prokurorisë nuk janë të bazuara dhe i njëjti kërkoi nga Gjykata që të bie aktgjykim lirues.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Armand Muçaj, avokati Meshari Selimaj kërkoi nga Gjykata që të merret për bazë pranimi i fajësisë nga ana e tij edhe pse gjatë gjykimit është refuzuar.

Në anën tjetër, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari caktoi datën 17 korrik për shpalljen e aktgjykimit.

Kallxo.com ka raportuar për këtë rast. Dy të akuzuarit nuk kishin arritur një marrëveshje për pranim të fajësisë edhepse ajo ishte kërkuar nga vet ata.

Albert Memia dhe Armand Muçaj po akuzohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të drogës.

Sipas aktakuzës, në ditën e 29 gushtit të 2019, dy të akuzuarit pas një marrëveshje nga fshati Mejdan i Tropojës, përmes pikës kufitare Qafë Morinë kishin ardhë në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, e më pas janë parkuar te qendra tregtare “ETC”, në Gjakovë.

Substancën narkotikë ata e kishin vendosur në veturën e tipit Mercedes, me qëllim të shitjes, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se më pas të njëjtët janë ndalur nga Policia, pasi që Policia kishte informata që në veturën e Albert Memia ndodhet substanca narkotike.

Pas kontrollit në bagazhin e veturës kanë gjetur katër thasë të mbushura me marihuanë, me peshë prej 29 kg e 317 gr.