Gjykimi për grabitjen në tentativë, Prokurori kërkon dënim më të lart

Prokuroria ka bërë ricilësimin e veprës penale për Trim Vokshi, i akuzuari për grabitje në tentativë në “Ria Capital”. Ricilësimi i veprës penale u bë para dhënies së fjalës përfundimtare, meqë Prokuroria pretendon se Vokshi i maskuar e me armë kishte tentuar ta grabisë institucionin financiar.

Pas ricilësimit të veprës nga prokurori i çështjes Ali Uka, të akuzuarit i’u rëndua pesha e veprës penale, nga vepra e grabitjes në tentativë që është e dënueshme prej 3 deri në 12 vjet, tani iu shtua kryerja e kësaj vepre ku me vete kishte edhe armën, e dënueshme 7 deri në 12 vjet.

Prokuroria kërkoi që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe Gjykata ta dënoi sipas ligjit.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Trim Vokshi avokatja Marigona Lajqi, lidhur më ricilësimin e veprës penale tha se nuk ka asnjë bazë juridike.

“I gjithë akti akuzues është i formuluar në supozime dhe pa mbështetje në prova”, tha ajo.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të dëmtuarit Pajtim Hajdari, avokati Prek Kola, kërkoi nga gjykata që të ju kompenzohet dëmi, po që i njëjti nuk dha një shumë të caktuar të dëmit të shkaktuar.

Verdikti përfundimtar i këtij rasti, pritet të bëhet të martën, me datën 21 korrik.

Kallxo.com ka raportuar për këtë rast. Në muajin tetor ishte kundërshtuar aktakuza e Prokurorisë.

Trim Vokshi, ishte deklaruar i pafajshëm sa i përket aktakuzës së Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 2019, në filialen “Ria Capital”, dyshohet se i akuzuari Trim Vokshi në bashkëkryerje me Sinan Kamerin kishin kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Personi Sinan Kameri, i cili dyshohet se ka bërë roje, i njëjti gjendet në arrati dhe ende nuk është gjetur nga Policia.

Aktakuza shpjegon se Trim Vokshi, kishte qenë i maskuar dhe me armë në dorë, ndërsa Sinan Kameri kishte bërë roje.

Trim Vokshi kishte hyrë brenda në objekt dhe personave Arbnore Sada, Pajtim Hajdari, Renata Mati-Emini ju drejtohet me fjalët “qitni leket”, e më pas kishte bërë alarmi dhe i njëjti kishte ikur me armë në dorë- thuhet në aktakuzë.