Foto: Kallxo.com

Gjykimi për grabitjen e zinxhirëve të arit nga qafa në diskotekën e Gjilanit

Gjykata në Gjilan u pajtua të mërkurën që të lexohet deklarata e të dëmtuarës e cila në këtë rast është edhe në cilësinë e dëshmitares për një incident që kishte ndodhur në një diskotekë të Gjilanit.

Petrit Sopi doli sërish para gjykatës për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjilanit për grabitje për t’u deklaruar sërish i pafajshëm në atë që e akuzon Prokuroria e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë Petrit Sopi, në muajin gusht 2018, në Gjilan e ka sulmuar të dëmtuarën Miranda Fazliu, duke e kapur fillimisht për flokë dhe duke i thënë që të dalë nga diskoteka.

Pasi ajo kishte refuzuar, i akuzuari, sipas Prokuroria, me forcë ia kishte shkëputur nga qafa dy varëse të arit dhe disa stoli të dorës.

Prokurori Arben Kadriu edhe në seancën e sotme i propozoi gjykatës që dëshmia e të dëmtuarës të lexohet në mungesë të saj.

Por mbrojtësi i të akuzuarit Petrit Sopi, avokati Faruk Brestovci, e kundërshtoi propozimin e Prokurorit duke thënë se “prania e të dëmtuarës do t’i mundësonte të akuzuarit përballje me të në mënyrë që kjo çështje të vërtetohet në mënyrë të plotë”.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues Islam Thaqi pranoi që të lexohet deklarata e të dëmtuares dhe dëshmitares Brikena Fazliu, sipas propozimit të prokurorit.

“Gjykata ndaj tyre i ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, por të njëjtat nuk janë siguruar në procedurë”, tha gjykatësi Thaqi.

I akuzuari Petrit Sopi tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë në prokurori rreth incidentit ndërsa dha versionin e tij të ngjarjes.

Prokuroria: Gjilanasi ia shkëputi vajzës zinxhirët e arit nga qafa

“Me Miranden kam qenë ne lidhje afërsisht 2 vite. Ditën se kur vjen ajo prej Zvicres e kam ditur para një muaji pasi kemi pasur raporte shumë të mira. Ajo edhe në familjen time ka qenë disa herë dhe ka pasur trajtim shumë të mirë nga familja ime”, tha në vazhdim i akuzuari.

“Unë e kam ditur se ajo ditën që vjen nga Zvicra ka me shku me një kanagjeq, kurse unë kur kam shku në diskotekë atë e kam takuar aty (në diskotekë), me dy shoqe tjera dhe dy djem të cilët nuk i njoha”, përfundoi i akuzuari.

Fjala përfundimtare për këtë rast do të jepet më 28 janar.