Foto: Kallxo.com

Deçan: Si e zbuluan grabitësit kur “Viva Fresh” i dorëzon paratë në bankë

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi kundër 4 të akuzuarve për grabitje të 8 mijë e 543 eurove.

Norik Hashani, Besfort Kabashi, Fatlum Bytyqi dhe Leotrim Bajselmanaj akuzohen se më 22 janar 2019, duke vepruar si anëtarë të grupit dhe me përdorim të armës, kanë marrë shumën në vlerë prej 8 mijë e 543 euro prej punëtorëve të “Viva Fresh” në Deçan, Albiana Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj.

Sot në seancë janë dëgjuar dëshmitarët Gent Sopaj dhe Diamant Tahirukaj.

Dëshmitari Gent Sopaj rrëfeu para trupit gjykues se ditën kur ka ndodhur grabitja është takuar me të akuzuarin Fatlum Bytyqi pak para orës se drekës, ku ia kishte huazuar një veture të një miku të tij, meqenëse ai ia kishte kërkuar.

“Ditën kritike e kam thirrur Fatlumin te lokali im, dhe i kam thënë mua dhe tezakun tim Rinorin na dërgo në shtëpi, ne vazhduam për në Prizren, për mos me lënë Fatlumin vetë, sepse ka pasë me marrë Besfortin te Stacioni i Autobusëve”, tha dëshmitari Sopaj.

Gjersa dëshmitari Diamant Tahirukaj, ish-punëtor i “Viva Fresh”, tregoi para trupit gjykues për interesimin e Norik Hashanit dhe Alban Gashit, për mënyrën e dorëzimit të pazarit në fund të ditës nga punëtorët e “Viva Fresh” në banke.

“Nuk kam dëgjuar se Albani dhe Noriku kanë plan të kryejnë këtë grabitje. Ndoshta ndonjëherë më ka shkuar mendja kur e kam vërejtur interesimin e tyre lidhur me mënyrën e dorëzimit të të hollave, por asnjëherë s’kam dyshuar”, tha Tahirukaj.

Tutje, është vazhduar me leximin e provave.

Mbrojtësi i te akuzuarit Fatlum Bytyqi, avokati Sali Mekaj, propozoi që raportet policore të propozuara si prova nga prokurorja të veçohen nga shkresat e lëndës me arsyetimin se të njëjtat nuk mund të shërbejnë si provë në procedurë penale për të vërtetuar kryerjen e veprës penale dhe përgjegjësinë penale.

Lidhur me këtë propozim të avokatit Mekaj, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sami Sharraxhiu, tha se do të vendoset me aktvendim të veçantë.

Seanca e radhës mbahet më 25 tetor.