Foto: KALLXO.com

Gjykimi për grabitje, dëshmitari: Asnjëherë nuk i kam parë të dyshuarit

Katër të akuzuarit për grabitjen e 2.500 eurove janë sjellë të prangosur sot në Gjykatën e Gjakovës.

Të pandehurit Genti Vatnikaj, Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj, akuzohen se duke vepruar në bashkëkryerje i kanë grabitur shumën prej 2.500 euro të dëmtuarit Rron Krasniqi.

Sot, në këtë rast dëshmoi Milot Hasani, nga Prishtina, i cili tregoi se të dëmtuarin Rron Krasniqi e ka shok të fëmijërisë.

Hasani tregoi se konsumimin e drogës e kishte ndërprerë për shkaqe shëndetësore, por se i njëjti vazhdon ta konsumojë kohë pas kohe, zakonisht në vikend.

“Ditën kritike bashkë me Rronin dhe Hamit Berishën nga Prishtina kemi ardhur në Gjakovë në stacionin e autobusëve dhe aty për furnizim me substancë narkotike kemi pritur një shok të Hamitit nga Gjilani, i cili ka ardhur bashkë me katër persona tjerë”, deklaroi dëshmitari Milot Hasani.

Ai tregoi se personi nga Gjilani quhej Dritëro, të cilit nuk ia dinte mbiemrin dhe se asnjë nga personat e dyshuar nuk i kishte parë, pasi që nuk kishte dalë nga vetura.

“Rrugës për në Gjakovë, Dritëro tregoi se është duke biseduar me këta personat”, shtoi ai.

“Më pas Rroni kishte hipur në veturë me ata persona në drejtim të fshatit Meje, e pastaj Rroni më ka thirrë në telefon dhe më ka thënë që e kishin vjedhur”, tha Milot Hasani.

Ai tha se për paratë që i kishte Rron Krasniqi me vete kishin qenë në dijeni vetëm ai dhe Hamit Berisha, pasi që e kishin parë kur e ka mbushur veturën me benzinë.

“Iniciativa për me ardhë me ble drogë në Gjakovë, ka qenë e Hamitit dhe paratë që Rroni i kishte në xhep i ka marrë nga lokali i tij në Prishtinë”, deklaroi dëshmitari Milot Hasani.

Kujtojmë se në këtë rast ende nuk janë gjetur nga Policia dy personat, Dritëro dhe Hamiti.

Trupi gjykues me kryetarin Shaqir Zika, e anëtaret Ilirjana Hoti dhe Manduhije Syla, seancën e sotme e vazhduan edhe pas orës 16:00, por seancën e radhës e caktuan për datën 25 tetor.

Sipas aktakuzës, më 14 maj 2019, dyshohet se pasi që janë marrë vesh mes vete, katër te akuzuarit kanë kryer veprën penale të grabitjes, ku i dëmtuari Rron Krasniqi me qëllim të blerjes së narkotikëve kishte hipur në veturën e tipit Renault, ku aty kanë qenë katër të akuzuarit dhe janë nisur në drejtim të Shkugzës.

Aktakuza thotë se i pandehuri Gent Vatnikaj ia kishte vendosur revolen në bark dhe ia kishte marrë 2.500 euro, duke e lënë të dëmtuarin Rron Krasniqi në rrugë.

Lidhur më këtë rast Prokuroria në maj të këtij viti kishte kërkuar paraburgimin e tyre.

Të arrestuarit për grabitje sillen të prangosur para Gjykatës

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që u ngarkohet.

https://kallxo.com/gjakove-prokuroria-kerkon-paraburgim-ndaj-kater-personave-per-grabitje/

www.kallxo.com