Gjykimi për falsifikim, i akuzuari nuk paraqitet në seancë

Gjykimi ndaj Dardan Hoxhës, i akuzuar për veprën penale falsifikim i dokumenteve ka dështuar që të mbahet.

Arsyeja e dështimit të seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarit dhe dëshmitarit.

Për të akuzuarin Hoxha, gjykata nuk pati provë se ishte ftuar në mënyrë të rregullt. Kurse, sa i përket dëshmitarit – të dëmtuarit Ali Bytyçi, gjykatësi Refki Piraj bëri të ditur  se i njëjti refuzon marrjen e ftesës, me pretekstin se nuk ka asnjë njohuri për rastin në fjalë.

Lidhur me këtë fakt, ndaj dëshmitarit Ali Bytyçi gjykata mori vendim që t’i drejtohet Policisë për sjellje me forcë.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme nuk u mbajt, e njëjta u shty për datën 27 shtator 2021.

Sipas aktakuzës, Dardan Hoxha nga Prokuroria po akuzohet se me datë 4 tetor 2016, në zyrën e tij “Geosmart Consulting” përpilon dokumente të falsifikuara si dhe ndryshon dokumentet origjinale me qëllim që me dije t’i përdor dhe t’i shfrytëzoj si origjinale.

Sipas Prokurorisë, Dardan Hoxha dyshohet se ka falsifikuar dokumentet si dhe ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës Themelore në Prizren, po ashtu letërnjoftimin në emër të personit Ali Bytyçi, vërtetimin e kopjes së dokumentit të lëshuar nga Bilgaip Maznikar – noter, dokumentin e lëshuar nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave në Prizren lidhur me tatimin mbi pronë, vërtetimin  e lëshuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren  – Sektori për Menaxhimin e mbeturinave, të gjitha këto në emër të Ali Bytyçit.

Për këto veprime, Prokuroria e ngarkon për veprën penale të falsifikimi të dokumenteve.

Ndaj të akuzuarit Hoxha, Gjykata e Apelit me 17 korrik 2020, kishte marrë aktgjykim dhe të akuzuarin Hoxha,  për veprat e falsifikimit të dokumenteve dhe veprave kallëzim i rremë, Apeli i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Po ashtu, Apeli kishte aprovuar pjesërisht  ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit, dhe për veprën penale falsifikim i dokumenteve çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Me t`u kthyer lënda në rigjykim në Gjykatën e Prizrenit, gjyqtari i krimeve të rënda, ka konstatuar se vepra falsifikim i dokumenteve  është në kompetencë të Departamentit të Përgjithshëm Penal ku dhe është duke u gjykuar.