Foto: KALLXO.com

Gjykimi për fajde, dëshmitari: Nga i akuzuari kam marrë hua por pa interes

Në gjykimin për fajde ndaj të pandehurit Xheladin Halimi në Gjykatën e Ferizajt ka dëshmuar Blerim Hashani.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Burim Qerkini, dëshmitari Hashani tregoi se i njeh të dy palët, edhe të dëmtuarit Xhafer Haxhiu dhe Arsim Dervishi edhe të pandehurin Xheladin Halimi.

Hashani tha se me ta ka pasur raporte shoqërore dhe ende ka.

Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari tregoi se ka pasur raste kur ka marrë para borxh nga i pandehuri, por edhe nga të dëmtuarit.

“Ne jemi shërbyer me njëri-tjetrin duke i dhënë njëri-tjetrit të holla hua por jo në atë mënyrë si po më pyet prokurori, me interes apo pa interes. Këto para ne i kem shkëmbyer në kesh”, tha dëshmitari Hashani.

I njëjti i tensionuar gjatë seancës deklaroi se ‘’dikush ka ra që unë kam ardh në këtë pikë, për të pasur punë me gjykata”.

I pyetur nga prokurori se mos ka pasur ndonjë përfitim pasuror apo çfarëdo përfitimi nga këto ngjarje, dëshmitari mohoi.

I dëmtuari Xhafer Haxhiu e pyeti dëshmitarin se “a është e vërtetë se në vitin 2006 i kam marrë në lokalin tënd 5.000 euro hua?”.

Dëshmitari u përgjigj se nuk e di, pasi që, sipas tij, tek ai kanë marrë disa njerëz para hua, nga 2.000 e 5.000 euro.

“Ndër njerëzit që kam ndihmuar më së shumti është Xhafer Haxhiu”, tha dëshmitari.

Dëshmitari i tensionuar u drejtohet të dëmtuarve dhe të pandehurit se duhet të ju vijë marre që më keni pru deri këtu, publikisht të ju vijë marre.

Dëshmitari i radhës për këtë rast u caktua të dëgjohet më 1 nëntor.

Xheladin Halimi nga Prokuroria akuzohet se nga viti 2007 në mënyrë të vazhdueshme gjerë në janar 2015 me qëllim të përfitimit pasuror duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve Xhafer Haxhiu dhe Arsim Dervishi ka kontraktuar shuma të të hollave të dukshme jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për viktimat, në atë mënyrë që u ka dhënë para me fajde duke u shkaktuar humbje financiare të dëmtuarve Xhafer Tahiri  në vlerë 170.000 euro dhe Arsim Dervishi në vlerë 205.400 euro.

Me çka ka kryer veprën penale fajde.

Rasti po gjykohet nga gjykatësit Sahit Krasniqi, Ibrahim Idrizi e Kadrije Goga Lubishtani.