Foto: Kallxo.com

Gjykimi për drogë në Gjakovë: Mungon prokurori, të akuzuarit pa avokatë

Në rastin gjyqësor në të cilin Veton Bakija po akuzohet për posedim të drogës, ndërsa Faton Osmanaj për blerje e shitje të drogës, nuk u kundërshtua aktakuza.

Të hënën, në gjykatën e Gjakovës ishte planifikuar të kundërshtohej aktakuza,  por dy të akuzuarit nuk kishin angazhuar avokat.

Në seancë poashtu mungonte edhe prokurori i këtij rasti Ali Uka, i cili kishte njoftuar gjykatën që është i zënë me një seancë tjetër në Pejë.

Ndërsa gjyqtari Shaqir Zika, caktoi datën 22 gusht për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

KALLXO.com muajin e kaluar kishte raportuar për këtë rast.

Gjakovë: Pranon fajësinë për drogë, gjykata e refuzon

Në seancën e kaluar, Veton Bakija ishte deklaruar i fajshëm, ndërsa Faton Osmanaj nuk e kishte pranuar fajësinë dhe kishte thënë se është duke u shëruar për varësinë qe ka ndaj narkotikëve.

Sipas aktakuzës, Faton Osmanaj në shkurt të këtij viti në afërsi të shkollës “Yll Morina” në Gjakovë, ishte zënë nga zyrtarët policorë duke i dorëzuar Veton Bakijes 0.46 gramë “heroinë”, në vlerë prej 10 euro.

Ndërsa gjatë bastisjes, policia i kishte gjetur Veton Bakijës në xhepin e djathtë të pantallonave sasi e njëjtë e heroinës të cilën, siç thuhet në aktakuzë,  e kishte blerë nga Faton Osmanaj.