Foto: Kallxo.com

Gjykimi për arratisje nga QKUK: Avokati i Lushtakut kërkon të mos pranohen provat që rrjedhin nga masat e fshehta të hetimit

Procesi gjyqësor ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës e Sami Jasharit të akuzuar për arratisjen nga QKUK-ja vazhdoi me kundërshtimin e provave të selektuara nga Prokuroria Speciale.

Prokurorja e rastit Florje Shamolli deklaroi se precizimin dhe selektimin e provave e ka bërë me shkrim dhe ato i ka dorëzuar gjykatës dhe avokatëve.

E këtë selektim të provave e kundërshtoi avokati Arton Qerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku.

“Prokuroria pretendon se Sami Lushtaku ka kryer veprën penale “Arratisje e personit të privuar nga liria” e dënueshme me burgim deri në 3 vite nëse shikojmë KPP thuhet se masat e fshehta mund të urdhërohen për veprat penale të dënueshme me 5 apo më shumë vite burgim, ndërsa vepra për të cilën akuzohet Lushtaku është e dënueshme me 3 vite burgim. Kodi i Procedurës Penale përcakton edhe katalogun  veprave penale për të cilat mund të zbatohet masat e fshehta, prandaj kërkoj nga gjykata që të gjitha raportet me këto urdhra dhe përgjime të shpallën prova të papranueshme sepse janë marrë në kundërshtim me KKP”, tha Qerkini.

Këtij kundërshtimi iu bashkëngjitën edhe avokatët e tjerë.

Ndërsa avokati Mahmut Halimi, mbrojtës i të akuzuarit Ismet Haxha, përpos që iu bashkëngjit propozimit që të shpallen të papranueshme provat e marra nga përgjimet ai shtoi se nuk mund të përdoren si prova materiale  artikujt e portaleve.

“Shfaqjet ne televizionin në Top Chanel, e titulluar si arratisja e grupit Drenica, pastaj artikullin “ish guerilët e Kosovës arratisen nga paraburgimi” i portalit Balkan Insight, nuk mund të shërbejnë si prova sipas KPP-së, pasi që artikujt e botuar janë prova thelbësisht të pambështetshme për arsye se nuk dihet origjina e provës apo informatës të cilën e  kanë marrë mediat”, tha avokati Halimi.

Lidhur me këto kundërshtime, prokurorja Florrije Shamolli do të përgjigjet me shkrim në seancën e radhës.

Aktakuza e cila në këtë rast përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.