Gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve do të përfundojë më 1 prill 2025

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur që deklaratat hyrëse në procesin e gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të bëhen më 3 prill.

Gjatë konferencës përgatitore, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka bërë të ditur se më 11 prill do të bëhet paraqitja e provave ndërkaq mbyllja e çështjes u caktua më 1 prill 2025.

Deklarata hyrëse e ZPS-së do të zgjasë jo më shumë se 5 orë, kurse ajo e përfaqësuesit të viktimave deri në 45 minuta.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka bërë të ditur se Krasniqi mund të bëjë deklaratë jo nën betim, e cila mund të zgjasë 1 orë e gjysmë. E njëjta gjë u tha edhe për Rexhep Selimin.

Smith tutje ka bërë të ditur se një tjetër konferencë përgatitore do të mbahet më 20 mars.

“Duke pasur parasysh parashtrimet e palëve ekziston një arsye bindëse për ndryshimin e kohës, deklaratat hapëse do të mbahen me datën 3, 4 dhe 5 prill 2023. Dëgjimi i provave do të fillojë më 11 prill 2023… Si kryegjykatës i këtij trupi gjykues mbaj parasysh gjendjen dhe pajtimin ndërmjet palëve lidhur me çështjet faktike, në pajtim me rregullën 102 (3) të rregullores trupi gjykues urdhëron ZPS-në që të dorëzojë njoftimin e ndryshuar sipas rregullës 102 (3) deri të premten më datë 17 shkurt 2023. Trupi gjykues përcakton datën e mbylljes së çështjes së prokurorisë me datë 1 prill 2025” – tha Smith.

Të mërkurën në këtë konferencë, Prokuroria ka njoftuar se deri më tani ka siguruar rreth 312 dëshmitarë kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

“Kemi 188 dëshmitarë lidhur me krimet, 110 dëshmitarë janë për strukturën e UÇK-së, për veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve 63 dëshmitarë. Nëse mblidhen këto shifra dalin më shumë se 312, disa dëshmi mund të jenë përsëritëse. Këto janë kategoritë”- deklaroi  Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ndërkaq, sipas listës së akuzës, Prokuroria në këtë çështje ka theksuar se janë gjithsej 42 vende në 17 komuna ku pretendohet se janë kryer krimet.

Prokuroria më tej ka arsyetuar se i duhen rreth 700 orë për paraqitjen e të gjitha provave.

Kjo nga ana e mbrojtjes u konisderua si një proces i tejzgjatur.

“Ne kemi për detyrë të sigurohemi, se nese ata bëjnë punën në mënyrën kaotike do të cenojnë drejtësinë. Në vetvete është në dëm të të akuzuarve sepse kanë dy vite që qëndrojnë në paraburgim. Sepse zgjatja është armik i drejtësisë, i të drejtave të të akuzuarve”- ka deklaruar Ben Emmerson.

Emmerson tutje përshkroi se ky proces është tejzgjatur më shumë sesa rasti Millosheviq.

“Aktakuza ndaj Millosheviqit, ku filloi fushata në Ballkan unë besoj që periudha e aktakuzës mbuloi 10 vjet. Prokuroria paraqiti faktet e saj, ajo mori 360 orë për ta paraqitur, kurse në rastin tonë po kërkohet dyfishi. Në rastin Millosheviq, do të duhej të ishin dashur 20 vite nëse do të vazhdonte me këtë logjikë si tani” – shtoi avokati.

Paraprakisht në këtë senacë për kohën e gjykimit prej 700 orësh reagime ka pasur edhe nga Gregory Keohe, avokat i Hashim Thaçit.

Keohe ka kërkuar që gjykimi të përfundojë “sa jemi gjallë”.

“Ne kemi në dorë mijëra faqe të materialeve, nuk e dimë çka mendon Prokuroria se është me rëndësi, por nuk na intereson asnjëri. Dua ta mbarojmë sa të jemi gjallë, mos të zgjatet pa fund” – u shpreh avokati.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.