Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve u mbyll përsëri për publikun
Shqyrtimi gjyqësor i të martës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në sesionin e pasdites ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të 19-të, i identifikuar me kodin 04566.
Para fillimit të dëshmisë dhe marrjes në pyetje nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurori Matt Halling lexoi një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së dëshmitarit të 19-të.
“Anëtari i familjes së dëshmitarit 04566 shkoi në Drenoc në vitin 1998 ku e mbajtën të ndaluar, pjesëtarë të tjerë të familjes shkuan të merrnin vesh për fatin e tij, por nuk u lejuan ta shihnin, anëtari i familjes së dëshmitarit 04566 u zhduk, dëshmitari 04566 dhe pjesëtarë të tjerë të familjes bënë shumë kërkime për të marrë informacione për fatin e të ndaluarit, mirëpo pa sukses, trupi i të ndaluarit u gjet shumë vite më pas” – theksoi prokurori Halling.
Tutje, nga ana e të njëjtit u kërkua të kalohet në seancë të mbyllur për publikun.
Në sesionin e paradites, edhe dëshmitari i 18-të, i identifikuar me kodin 03832 e ka përfunduar dëshminë e tij, tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.