Gjykimi ndaj të akuzuarve për kontrabandim me migrantë

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për kontrabandim me migrantë dhe krim të organizuar, Sadat Murati, Albert Bulliqi, Abdyl Kastrati, Haki Maloku, Bashkim Hasani, Denis Sadrijaj, Arife Saraqi- Loxha, Brastisllav Dashiq, Bekim Zeqiri, nuk është mbajtur sot.

Arsyeja e shtyrjes së seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarit Brastisllav Dashiq.

Ndërkohë ndjekja procedura penale ndaj Xhavit Fejzullahut ka pushur, pasi i njëjti ka vdekur.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Sadat Murati, Albert Bulliqi, Abdyl Kastrati, Haki Maloku, Bashkim Hasani, Denis Sadrijaj, Arife Saraqi- Loxha, Brastisllav Dashiq, Bekim Zeqiri, duke vepruar në dy grupe të ndara me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës.

Të akuzuarit pas gjetjes së personave të interesuar për të shkuar në vende të ndryshme të Evropës, fillimisht janë marrë vesh për çmimin që duhej ta paguanin, çmim i cili ishte në shumë deri në 3000 euro për person.

Sipas aktakuzës, në mënyrë ilegale emigrantët përmes personave të ndryshëm në Serbi, janë dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë në vende të ndryshme të Evropës.

Në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi se e akuzuara Arife Saraqi- Loxha ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” dhe Bashkim Hasani veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, Arife Saraqi- Loxha zyrtare për letërnjoftime dhe pasaporta në MPB – Mitrovicë, ka pranuar premtimin për dhënie të parave nga i pandehuri Bashkim Hasani, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në atë mënyrë që pasi janë marrë vesh i akuzuari Bashkim Hasani ia ka dërguar dokumentet apo personat për t’i rregulluar ato dokumente.

E njëjta sipas Prokurorisë akuzohet se merrte detyrimin që t’ua rregullonte ato, me qëllim të përfitimit të dobisë financiare deri në 400 euro për vetëm një rast.

Në aktakuzë tutje theksohet se i akuzuar për dhënie të kundërligjshme të ndihmës juridike, Brastisllav Dashiq në mënyrë të paautorizuar ka rregulluar dokumentacione dhe i ka përfaqësuar ‘migrantët’ para organeve të Serbisë duke u kërkuar pagesë deri në 3000 euro. Po i njëjti u ka siguruar certifikata të lindjes, letërnjoftime, pasaporta apo dokumente për marrjen e nënshtetësisë së Serbisë.

Për shkak të mos paraqitjes të akuzuarit Brastisllav Dashiq në hapje të këtij shqyrtimi gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi, njoftoi se seanca shtyhet për 2 mars 2022.