Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi ndaj të akuzuarit për mashtrim në këmbim të banesave

Hajdin Tmava, i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për mashtrim, nuk është paraqitur në seancën gjyqësore e cila ishte caktuar të mbahej sot ndaj tij.

Sipas aktakuzës Tmava dy të dëmtuarve S. Sh., dhe N. Q., iu kishte premtuar banesa, ndërsa nga i pari si kundërvlerë kishte marr dy makina dhe nga i dyti para në vlerë prej 10,000 euro.

Seanca gjyqësore ndaj tij ka dështuar mbahet sot në gjykatën e Mitrovicës, pasi siç ka njoftuar gjyqtari i rastit Nikolla Petronijeviq, i pandehuri nuk gjendet në Kosovë.

Sipas Gjykatës i pandehuri është me vendbanim në Finlandë dhe të njëjtit përmes Ministrisë së Drejtësisë i ishte dërguar ftesa atje, por se ai nuk është paraqitur në gjykatë.

As mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sabit Pllana për shkaqe shëndetësore nuk ka qenë i pranishëm në seancë, kurse prezentë ishte prokurorja e rastit Daniella Batkoviq.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, gjyqtari Petronijeviq ka njoftuar se seanca shtyhet në kohë të pacaktuar.

Akuza e prokurorisë thotë se i akuzuari Hajdin Tmava, në prill të viti 2013 në Mitrovicë, si pronuar i firmës ndërtimore “FIN COMPANY”, me paraqitje të rreme të fakteve ose me fshehjen e fakteve, me qëllim që vetit apo tjetrit t`i sjellë dobi pasurore apo t`i shkaktojë dëme materiale personit tjetër, nga i dëmtuarit S. Sh., kishte marr dy automjete në vlerë prej 54500 euro.

Tutje në akuzën e Prokurorisë thuhet se i akuzuari Tmava kishte lidhur kontratë në mënyrë që në ndërtesën në të cilën ka filluar kryerjen e punëve, të dëmtuarit t’ia jap banesën në sipërfaqe prej 105,05 metra katror, edhe pse për këtë nuk ka pasur leje për ndërtim, e as që ka mundur ta merr sepse sipas planit urbanistik aty është deshtë të kaloi rruga dhe nga këto arsye i pandehuri ka ndërprerë punët ndërtimore, ndërsa automjetin të cilin e ka marr prej të dëmtuarit ia ka shitur një personi në Pejë, dhe në këtë mënyrë vetit i ka sjellë dobi pasurore.

Një rast thuajse i ngjashëm sipas Prokurorisë kishte ndodhur edhe në raport me të dëmtuarin N. Q., ku i pandehuri po ashtu si pronar i kompanisë “FIN COMPANY”, nga i dëmtuari ka marr avans në vlerë prej 10,000 euro, ka lidhur kontratë në mënyrë që i pandehuri në ndërtesën në të cilën ka filluar kryerjen e punëve t’ia japë banesën me sipërfaqe prej 94,24 metra katrorë, ndërsa pjesën tjetër të të hollave i dëmtuari është dashtë t’ia jap më vonë, edhe pse për këtë nuk kishte pasur të drejtë për ndërtim, për të njëjtat arsye si në rastin e parë.

Më këtë Tmava akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale “Mashtrim”.